Barcelona do Pjaniçin, ‘”Zonja” nuk ulet në tavolinë pa 80 mln euro!

Nuk ekzistojnë futbollistë të pashitshëm, ekzistojnë disa pengesa nën të cilat Juventusi nuk merr në konsideratë aspak ofertën, ndaj nuk negocion apo ulet në tavolinë. Ekzistojnë futbollistë që Juventusi nuk dëshiron të shesë dhe ndaj rrit pretendimet e tij. Miralem Pjaniç, për shembull. Barcelona është duke “iu sjellë vërdallë” dhe nuk duket thjesht një manovër eksploruese, por një sulm i vërtetë për mesfushorin boshnjak, që do të fuqizojë një mesfushë që ka humbur një fenomen si Iniesta. Bepe Marota e di këtë gjë. Zërat për interesimin blaugrana kanë mbërritur në Torino, edhe pse ende nuk ka asnjë ofertë zyrtare. Sipas asaj që shkruan “Tuttosport”, sakaq, bardhezinjtë kanë caktuar çmimin e kartonit: duhen 80 milionë euro për të bindur “Zonjën”, asnjë qindarkë më pak… Por, Barcelona, tepër e interesuar për boshnjakun, mund të gjejë konkurrencën e Real Madridit, për të hapur kështu një ankand.

Agjenti – Sakaq, agjenti i boshnjakut, Mikael Beker, në një intervistë të dhënë për “El Mundo Deportivo”, u shpreh: “Interesi i Barcelonës na gëzon pa masë. Miralem, aktualisht është me pushime. Barcelona duhet të flasë me Juventusin”. Juventusi pagoi 32 milionë eurot e klauzolës për prishje kontrate me Romën për të siguruar mesfushorin, që në Itali erdhi pikërisht te verdhekuqtë, i blerë nga Lioni në Francë për 11 milionë euro. Sakaq, ai ka luajtur 60 ndeshje me bardhezinjtë dhe ka shënuar 11 gola. Pjaniç u mor për të zëvendësuar Andrea Pirlon dy vite më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *