Barça, tani mori fund vërtet

0

Kanë zbavitur botën në dekadën e fundit. Tani mori fund. Eliminimi nga Liga e Kampioneve, që u rrezikua që ndaj PSG-së dhe u bë realitet nga Juventusit, është akti i fundit i Barcelonës, skuadra që ka dominuar idenë e futbollit në 10 vitet e fundit, përtej rezultateve.

Ajo që u pa në Camp Nou në ndeshjen e kthimit kundër bardhezinjve është edhe domethënëse se humbja e thellë në Torino. Ishte një manifestim i pafuqisë totale. Pikërisht diamantet e kurorës u dukën si copëzat e thyera të një shisheje.

Më poshtë, një listë e më të këqijve të Barcelonës, që tashmë duhet të mendojë seriozisht revolucionin, të paktën në mbrojtje e mesfushë:

Andrés Iniesta – Është e rëndë të thuhet, por tashmë është e vërtetë. Don Andrés ka qenë për vite të tëra futbollisti më i mirë në botë, në kategorinë e njerëzorëve. Elegancë, konkretësi, sjellje prej zotërie të vërtetë. Të gjitha bashkë në një person. Kundër Juventusit, shkatërrim total. Gabime elementare në pasim, një ngadalësi dëshpëruese, ndonjë faull i tepruar. Ndoshta është momenti, ose ka kaluar momenti, që Iniesta të ndjekë shembullin e ish-partnerit të tij legjendar, Çavit, i cili u tërhoq në momentin e duhur dhe shkoi të mbushë llogarinë bankare në Azi. Tani Iniesta mund të fitojë pa problem nja 20-30 milionë euro në sezon në Kinë, pa rrezikuar të bëjë figura të shëmtuara, sepse ka mjaftueshëm talent prë të habitur Kinën, por jo forcën e duhur fizike për të mbajtur ritmin e Barcelonës.

Nejmar – Është arsyeja pse ekzistojnë tribunat pas porte, sepse përndryshe do të vazhdonte të driblonte për kilometra të tëra pa u ndalur, jashtë stadiumit, derisa ta kërkonin me polici. Kundër Juventusit dribloi në total nja 80 lojtarë kundërshtarë, pa krijuar realisht ndonjë rrezik për mbrojtjen. Është i ri, shumë i talentuar dhe do të ringrihet, por duhet një trajner i zoti t’i japë një dimension të ri, sepse përndryshe e ardhmja e tij do të jetë cirku.

Buksets – Lojtar i ri edhe ai, mund të kthehet në nivelet e tij. Ose jo. Për vite të tëra ka qenë ana e errët e forcës blaugrana, racional dhe i keq aq sa duhet. Në ndeshjen e vajtjes mungoi dhe Barcelona pësoi 3 gola. Në kthim ishte në fushë dhe u mjaftua me administrimin e zakonshëm të zonës që i takon, pa tentuar sulmin, pa protestuar e pa “kafshuar” këmbët e kundërshtarëve si e ka zakon.

Luis Suárez – Më i keqi në fushë për të dyja ndeshjet, i shëmtuar, i kthyer në një lojtar normal, shumë larg “bishës” që jemi mësuar të shohim. Humbi raste flagrante, nuk mbajti një top, u postua më kot në të dy krahët e sulmit, por i mungoi grinta dhe dukej sikur ishte dorëzuar para kohe. Është vetëm 30 vjeç: fillimi i rënies, apo kulmi i karrierës? Nuk duket nga ata lojtarë që mund të bëjnë diferencën për një kohë të gjatë te Barcelona, e shumta edhe një vit.

Lionel Mesi – Në vajtje dha një asist të mrekullueshëm për Iniestën, në kthim për Zhordi Albën. Po të ishin shënuar, Mesi do të ishte në piedestal, por njerëzit duan prej tij asiste e gola pa fund. Argjentinasi luftoi, por në momente të caktuara shihje 3-4 lojtarë të Juventusit rreth tij. Mesi-a nuk diskutohet, adhurohet. Nuk është faji i tij nëse Barcelona nuk di të përfitojë, edhe kur gjysma e skuadrës kundërshtare i qepet atij dhe hapësirat për të tjerët janë të shumta. A do të qëndrojë te Barcelona Mesi edhe sezonin e ardhshëm? Kjo është çështja, të tjerat nuk kanë vlerë.

Luis Enrike – E deklaroi që gjatë ndeshjeve me PSG-në që do ta linte Barcelonën në fund të sezonit. E drejta e tij, por mund ta vononte njoftimin, sepse u duk një “thikë pas shpine”, për një skuadër që ndoshta i ka dhënë trajnerit, më shumë se sa ka marrë prej tij. Historikisht është thënë se Barcelona të bën trajner të madh, mjafton të shohim që Pep Guardiola nuk po sheh ditë të bardha në Angli dhe nuk e fitoi dot Ligën e Kampioneve te Bajerni, ku vetëm atë i kërkonin, duke qenë se kampionatin e fitojnë me rezerva. Sulmi i frikshëm i Barcelonës i mjafton për t’u nisur favorit gjithmonë, por nëse Barcelona pëson shumë gola dhe nuk ka ide të reja, përveçse ka gabuar thuajse gjithë blerjet verën e shkuar, faj të madh ka pikërisht Luis Enrike.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here