Barça “poker” Totenhemit, Inter përmbys PSV-në

Spektakël dhe gola në “Wembley Stadium”. Totenhemi dhe Barcelona kanë zhvilluar një ndeshje shumë të bukur, por katalanasit arritën të siguronin tre pikët.

Ndeshja nisi me gol që në minutën e dytë. Zhordi Alba dhuroi një top për Kutinjon, i cili kaloi miqtë në avantazh. Braziliani shfrytëzoi daljen e pa sigurtë të Hugo Loris dhe goditi fort duke gjetur golin. Pjesa e parë dhuroi një tjetër gol, me kroatin Rakitiç, i cili dyfishoi rezultatin. Kutinjo pasoi bukur për mesfushorin, i cili lëshoi një të djathtë fantastike, që përfundoi në rrjetën e Totenhemit.

Pjesa e dytë nisi me golin e Herri Kejn, i cili shkurtoi rezultatin në minutën e 52-të. Sulmuesi kryesor i ekipit të Poketinos mori një top nga Lamela dhe pasi shmangu bukur një mbrojtës spanjoll, gjuajti drejt portës, duke mposhtur gjermanin Ter Shtegen.

Shpresa e vendasve zgjati katër minuta, pasi në skenë vendosi të hynte Leo Mesi. Zhordi Alba regjistroi asistin e dytë në këtë ndeshje, duke pasuar për argjentinasin, i cili goditi nga brenda zonës, duke lënë në vend Hugo Loris.

Totenhemi nuk u dorëzua dhe gjeti një tjetër gol me anë të Erik Lamelës në minutën e 66-të. Argjentinasi shënoi me të majtën nga jashtë zonës dhe topi përfundoi pas shpinës së Ter Shtegen. Në fund pati kohë dhe për golin e katërt për katalanasit dhe të dytin për Leo Mesin. Zhordi Alba siguroi asistin e tretë në këtë ndeshje, ndërsa kapiteni i Barcelonës mposhti Loris nga brenda zonës, duke vulosur përfundimisht fitoren e miqve.

Barcelona siguroi fitoren e dytë radhazi në Champions, ndërsa djemtë e Poketinos regjistruan humbjen e dytë pas asaj me Interin ne Milano.

Inter vazhdon formën e mirë dhe merr një tjetër fitore të rëndësishme në Champions. Djemtë e Spaletit fituan me përmbysje përballë PSV në stadiumin “Philips Stadion”. Pablo Rosario kaloi vendasit në avantazh në minutën e 27-të. Pasi mori një top nga Lozano, Rosario goditi nga jashtë zonës, duke shënuar një gol shumë të bukur.

Italianët nuk u dorëzuan dhe gjeten golin e barazimit në fundin e pjesës së parë me anë të Naingolan. Rrëmujë në zonë, mosmarrëveshje mes portierit dhe një mbrojtësi holandez dhe mesfushori belg nuk fali nga jashtë zone, duke barazuar shifrat.

Goli i fitores erdhi në minutën e 60-të dhe autori i tij ishte Mauro Ikardi. Vesino dhuroi një pasim të gjatë për kapitenin e ekipit, i cili përfitoi nga dalja e gabuar e portierit Zoet, i cili u përplas me mbrojtësin e tij. Ikardi i shmangu të dy dhe shënoi lehtësisht, duke i dhuruar një tre pikësh të artë ekipit të tij.

Me këtë fitore Inter ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve dhe kryeson bashkë me Barcelonën, ndërkohë që PSV mbetet në kuotën e zero pikëve.

 

PSV – Inter 1-2
(Rosario 27’/ Naingolan 44’, Ikardi 60’)

Totenhem – Barcelona 2-4
( Kejn 52’, Lamela 66’ / Kutinjo 2’, Rakitiç 28’, Mesi 56’, 90′)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *