Barazimi, te Sopoti nisin gjobat

0

Administratori Bahiti: Lojtarët do të ndëshkon me 100 mijë lekë të vjetra. Presim kthesën në ndeshjen e radhës ndaj Lushnjës

 

Sopoti i është rikthyer dje përgatitjeve, pas barazimit me Shkumbinin në ndeshjen e së shtunës. Përpara seancës së parë të javës trajneri Bozhani ka zhvilluar një analizë me lojtarët e tij duke shfaqur pakënaqësitë dhe duke kërkuar kthesën në ndeshjen e radhës, që do të luhet në transfertë ndaj Lushnjës. Ndërkohë burime brenda klubit librazhdas konfirmojnë se priten masa ndëshkuese ndaj futbollistëve për këtë barazim, i cili është konsideruar si një humbje. Administratori Iridion Bahiti që është gjithashtu dhe presidenti i ekipit është shprehur për “Sport Ekspres”, se nuk do të kalohet lehtë ky rezultat. “Nuk doja këtë nisje sepse kemi investuar shumë dhe duhet të fitonim madje bindshëm ndaj Shkumbinit. Formacioni i ndërtuar ndaj peqinasve ishte tepër zhgënjyes kështu që do të ketë ndryshime dhe priten të aktivizohen futbollistë të tjetër në përballjen e kësaj jave në Lushnjë. Gjithashtu të gjithë lojtarët pa përjashtim që luajtën në takimin me peqinasit do të gjobiten me nga 100 mijë lekë të vjetra gjobë, pasi nuk mundë të tolerojë një rezultat të tillë, sepse ne jemi një ekip pretendentë për tu ngjitur në Superiore .Më vjen keq, por ne kemi bërë kontrata të cilat thonë shumë mirë që për fitoret do të ketë shpërblime pra premio dhe nëse arrihen rezultate negative si barazimi brenda pasi kështu quhet ai, do të ketë sanksione. Shpresojë shumë që ta shlyejnë këtë gabim që bënë dhe të marrin një tre pikësh në Lushnje gjë që do të ishte diçka e bukur sepse mundësitë i kemi dhe ne si presidencë i kemi plotësuar të gjitha kushtet futbollistëve”, ka mbyllur Bahiti.

 

Mariglen Miraka

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.