Barazim për Veselin dhe Balliun, feston Dermaku

Frederik Veseli ishte titullar në barazimin e Empolit kundër Spalit në transfertë. Ndeshja u mbyll në barazim 2-2, ndërsa Spali luajti që nga minuta e 49 me një lojtar më pak. Ndeshja e tretë rresht pa humbje për Empolin, që vinte nga fitoret shtëpiake kundër Udinezës dhe Atalantës. Kaputao dhe Kruniç ishin autorët e golave për ekipin e mbrojtësit të kombëtares, ndërsa dygolëshi i Kurtiç i dha një pikë vendasve të Spalit.

Metzi arriti një barazim në transfertën e vështirë përballë Grenobles. Ndeshja u mbyll me rezultatin 1-1, ndërsa Ivan Balliu u aktivizua në pjesën e dytë. Mbrojtësi i kombëtares zëvendësoi francezin Rivierez në fillimin e pjesës së dytë. Kjo pikë e mban Metzin në vendin e parë me 35 pikë, një më shumë se Bresti i vendit të dytë.

Vetëm 12 minuta lojë për Sokol Cikalleshin në transfertën kundër Antaliasporit. Sulmuesi i Gozetepes nuk ndihmoi dot ekipin e tij të shmangte humbjen me rezultatin 1-0 kundër ekipit të vendit të katërt. Ai u hodh në fushë nga trajneri Bektash në minutën e 78 në vend të Ozturk, por sfida nuk pati më gola dhe vendasit fituan me golin e Ozkan.

90 minuta dhe për Kastriot Dermakun. Ai dhe Kozenca arritën një fitore të madhe me rezultatin 2-1 në ndeshjen që zhvilluan në shtëpi përballë Padovës. Ekipi i qendërmbrojtësit të kombëtares ktheu rezultatin, ndërsa heroi i Kozencës ishte mesfushori Garritano me golin e shënuar në minutën e katërt shtesë. Miqtë luajtën me një lojtar më pak që nga minuta e 57, ndërsa dy golat e parë të ndeshjes ishin shënuar nga pika e penalltisë. Kjo fitore e ngjit Kozencën në vendin e 14 me po kaq pikë dhe për momentin ndodhet jashtë zonës së rënies nga kategoria.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *