Bano: Lushnja më e mira, Bylisi nuk na ka mundur në 3 përballje

0

Arjan Likja

Sfida Lushnja-Bylis, që është edhe një finale Superlige, duket se ka nisur. Qyteti myzeqar duket se është përfshirë para kohe nga ethet e super-sfidës së javës së ardhshme. Çdo futbolldashës lushnjar, në bisedat e lira në ambientet e ndryshme të qytetit, nuk ngurron të shprehë bindjen për triumfin e Lushnjes në përballjen ndaj rivalëve ballshiot. Në unison të plotë me tifozërinë verdhjeshile, janë edhe vetë futbollistët dhe zyrtarët e Lushnjes. Këtë dëshirë dhe besim për mbylljen me fitore të këtij kampionati, e pohon për “Sport Ekspres” edhe nr.1 i pankinës së Lushnjes, Artan Bano, i cili thekson: “Më në fund, ora e fund kampionatit po troket dhe ekipet kanë marrë “frytet” e asaj pune e djerse që kanë derdhur. Mendoj se edhe ekipi që unë drejtoj ka marrë atë çka ka dhënë pothuajse në të gjitha takimet e luajtura deri më tani. Natyrisht, në disa takime kemi pasur mundësi të bënim dhe të merrnim më shumë”, është shprehur fillimisht trajneri Bano.

ANALIZA – “Futbolli tek surprizat, arritjet dhe dështimet e ka bukurinë e tij që të mban në ankth. Por, në tërësinë e tij, këtë kampionat e kemi menaxhuar dhe përvetësuar mjaft mirë. Mjaftoj të kujtoj faktin se e kemi marrë kryesimin e grupit që në javën e dytë dhe nuk e kemi lëshuar më. Vetëm 1 humbje në “Roza Haxhiu”, tregon se kemi bilancin më pozitiv të paraqitjeve tona në këto vite aderimi në Kategorinë e Parë, ndërkohë që në transferta kemi qenë të pathyeshëm”.

PËRGATITJET – “Këtë javë pushimi, po mundohemi ta menaxhojmë me pozitivitet për të korrigjuar në maksimum ato të “meta”, ku kemi çaluar më shumë në paraqitjet e fundit. Gjithashtu, do ta shfrytëzojmë në maksimum edhe për rikuperimin e kapitenit Çela  i cili ngelet shpirti dhe “truri” i ekipit tonë. Pa dyshim, presim edhe rikuperimin e mbrojtësit Magani i cili së bashku me Çelën, ditën e sotme (djeshme), i janë bashkuar grupit në stërvitje me ngarkesë të plotë. Me të gjithë futbollistët e gatshëm, unë e kam më të lehtë për të përzgjedhur një formacion me garanci optimale fituese të asaj përballje me Bylisin.

KUNDËRSHTARI – “Bylisi është i vetmi kundërshtar që është përpjekur të na rivalizojë  në luftën për kreun e renditjes. Këtë gjë e ka bërë më së miri, sidomos në fazën përmbyllëse të këtij kampionati. Nëse nuk do të na rivalizonte Bylisi, ky kampionat do ta kishte humbur bukurinë, pasi shumë ekipe dolën para kohe nga lufta për të synuar kreun. Distanca e vogël e pikëve na imponon që ne ta përgatisim mirë këtë ndeshje të fundit pasi një humbje e mundshme do të na çonte dëm gjithë punën e madhe të këtij sezoni futbollistik”.

PARASHIKIMI – “E kemi udhëhequr me meritë kampionatin dhe presim kurorëzimin me sukses të tij në përfundim të ndeshjes së fundit javën që vjen.  E vlerësoj shumë kundërshtarin, por ne do të jemi fituesit e finales. Edhe në takimet direkt me ballshiotët, kemi fituar në Lushnjë dhe kemi barazuar dy herë në Ballsh. Kampionati, do të jetë “pronë” e Lushnjës”, ka përfunduar trajneri Bano.    

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here