Banderola përçan tifozët, Dardanët “mbesin pa krahë”

0

Tifogrupi i Kosovës kishte planifikuar të dilte me mesazhin “Kosovo is Kosovo” në ndeshjen ndaj Islandës. Skifterët dhe Intelektualët e Gjilanit dalin kundër dhe largohen nga grupimi…

Kosova, “kosovizimi” dhe Shqipëria! Trinom që ka dhuruar shumë shfaqje këto muaj. Nga përplasjet për futbollistët e deri te tifozët, ndërsa tashmë në shtetin fqinjë është futur në palcë një frymë e re. Ajo e “kosovizimit”, ku një pjesë e popullsisë dhe sidomos tifo-grupi zyrtar i Kosovës  “Dardanët”, po mundohet ta injektojë në popullsi. E banderola që nuk i është lejuar ta shpalosin në stadiumin “Loro Boriçi” dhe i është ndaluar nga vëzhguesit e FIFA-s përmbante një tekst të tillë: “Kosovo is Kosovo”, apo e përkthyer në shqip “Kosova është Kosovë”. Kjo ka sjellë përplasje mjaft të forta edhe brenda grupimit të tifozëve. Dy tifo-grupet e Gjilanit, “Skifterët” dhe “Intelektualët” kanë zyrtarizuar largimin e tyre.

 Banderola – Tifo-grupi i Kosovës, “Dardanët”, kishin planifikuar që të nxirrni një banderolë në “Loro Boriçi”, me shkrimin “Shhhh, Dardanët janë këtu, Kosova është Kosovë”. Ky shkrim ka ndarë në gjysmë popullsinë e Kosovës, pasi disa e kanë përkrahur ndërsa disa të tjerë janë irrituar së tepërmi.

Reagimet – Të parët që kanë reaguar në lidhje me banderolën që donin të shpalosnin “Dardanët”, kanë qenë “Skifterët” e Gjilanit që i kanë dalë hapur kundër shkrimit dhe politikës që do të përcjellë ky  tifo-grup. Të dytët në radhë kanë qenë “Intelektualët” e Dritës që ashtu si “Skifterët” i kanë dalë kundër politikës që ushqejnë “Dardanët” dhe janë shkëputur nga ky tifo-grup. “Skifterët” dhe “Intelektualët” do të mbështesin Kosovën në mënyrë të pavarur.

Dardanët – Tifo-grupi i Kosovës ka shpjeguar edhe idenë e këtij mesazhi dhe sipas tyre ka qenë një kundërpërgjigje për tifozët e Tuentes që i kanë dalë kundër Besart Celines me mesazhin e tyre “Kosova është Serbi”. Shkrimi që donin të shpalosnin ishte për lojtarin e tyre. Më pas, ata kanë reaguar edhe pas largimit të “Skifterëve” dhe “Intelektualëve”, ku i kanë qëndruar idesë së mesazhit dhe kanë vazhduar me frymën e “kosovizimit”.

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here