Balliu injoroi mesazhet e De Biazit!

0

Ekskluzive/ Mbrojtësi i Metcit, në Francë, ishte në listën e atyre që do të testoheshin ndaj Luksemburgut përpara ndeshjes me Izraelin, por nuk iu përgjigj italianit. E gjitha një muaj më parë

Nga Anton Cicani

Në mungesë të shumë futbollistëve, shkak forma, skualifikimi apo dëmtimet, Xhani de Biazi ndodhet përballë një pikëpyetjeje të madhe për sa i përket sfidës së qershorit ndaj Izraelit, ndaj edhe ka vendosur për miqësoren me Luksemburgun, ku edhe do të provojë disa lojtarë dhe skema. Sakaq, ashtu si “Sport Ekspres” do të lajmëronte kohë më parë, Ivan Balliu ishte emri i parë në listën e trajnerit Italian për t’u provuar si i majtë. Balliu, që ka lindur në Spanjë, në Francë prej dy sezonesh është duke përjetuar një sezon fantastik. Sigurisht, nuk është pjesë e elitës, por mjaftohet me faktin që luan me vazhdimësi, ndërkohë që Ermir Lenjani po përjeton një makth në Renë, për të bërë një shembull. Mes asisteve dhe paraqitjeve të mira, karakteristikat e djaloshit i kanë rënë në sy edhe Xhani de Biazit, që mendoi seriozisht ta grumbullonte për sfidën ndaj Luksemburbut, miqësorja e qershorit përpara ndeshjes me Izraelin. Mungesa e Ansi Agollit, për shkak kartonësh, por sidomos pasiguritë dhe luhatjet e Alijit, që gjithashtu është i dëmtuar dhe nuk do të rikuperojë në kohë, bënë që trajneri Italian të provonte pikërisht kartën “Balliu”.

Kush është? –  Ivan Balliu, mbrojtësi i krahut të majtë te Metz, në kampionatin francez, u rrit në Akademinë e Barcelonës, te “La Masia”e famshme, që për shumë mbetet ende një ëndërr e parealizuar. U rrit mes një grupi kampionësh, të cilët gjithashtu nuk patën shansin që të vazhdojnë të ndjekin gjurmët e Mesit & Co, por e kuptoi se dëshira e madhe që kishte për të veshur fanellën blaugrana nuk do të realizohej, pasi niveli i tij nuk i afrohej asaj që kërkonte një ndër klubet më të mëdhenj në botë dhe me një filozofi tashmë të njohur, të quajtur “La Masia”. E megjithatë, u stërvit, edhe për pak, nga Pep Guardiola, një trajner që ka fituar gjithçka në karrierën e tij. Pas aventurës së shkurtër në Portugali, Balliu vendosi që të provonte Francën, duke u shtyrë më  në qendër të Europës dhe duke iu larguar gadishullit iberik.

Injorimi –  Por, çfarë ndodhi? Përpara një muaji, trajneri De Biazi do të ndërmerrte hapin e parë, duke i dërguar mesazh vetë futbollistit me origjinë shqiptare të lindur në Spanjë. Një mesazh, të cilin “Sport Ekspres” arriti që ta zbulonte dhe lexonte. i shkruar në spanjisht, sepse është gjuha të cilën kupton më mirë Ivan Balliu, në rrjetin social Facebook, në profilin zyrtar të futbollistit. Pak dhe saktë, teksa i kërkohej që të jepte një përgjigje nëse kishte dëshirë të vishej kuqezi. De Biazi nuk preferoi ti telefononte agjentit, pasi donte të dinte gatishmërinë e djaloshit njëherë. Por, ajo që ndodhi është vërtet e pabesueshme.Balliu do të lexonte kërkesën e trajnerit të kombëtares kuqezi dhe s’do të përgjigjej… Pas tentativës së parë, De Biazi provon edhe njëherë tjetër, duke i dërguar sërish në spanjisht. Tjetër shpërfillje nga lojtari, që lexon mesazhin dhe nuk përgjigjet. Praktikisht, një sjellje aspak e hijshme e një lojtari që deri dje nuk njihej nga askush dhe që nesër mund të njihej nga qindra miliona shqiptarë, në një moment kur kombëtarja pas Europianit ka fituar më shumë famë dhe prestigj. Dhe, duke parë atë që ndodhi, De Biazi hoqi dorë, të paktën për momentin, nga thirrja e tij, që mund të kishte shans. Sepse, nëse nuk i përgjigjesh njëherë trajnerit të kombëtares, mund të jetë rastësi, por ta bësh për të dytën herë, atëherë është e qëllimshme…

Kurioziteti

Djaloshi që nuk njeh paraardhësit…

Mbiemri i Ivan Balliut është Kampeni dhe ai ka lindur më 1 janar të vitit 1992. Një datëlindje e veçantë, nisur nga fakti se pikërisht pas natës së ndërrimit të viteve ka ardhur në jetë… Ai ka hapur sytë në Malaveja, provincë e Katalonjës, nga një baba shqiptar dhe një nënë spanjolle. Por, e veçanta e historisë është se Ivani nuk ia ka idenë pemës së familjes dhe në një intervistë të dhënë kohë më parë për  “Transfermarkt.de” 24-vjeçari thotë se nuk di shumë rreth origjinës së tij. “Nuk di shumë, di vetëm që paraardhësit e mi erdhën në Spanjë. Im atë është përpjekur të gjejë regjistrin e familjes, por unë nuk kam shumë informacion”.

25 vjeç është Ivan Balliu Kampeni. Ai ka lindur në Kaldas de Malaveja, në Katalunjë. Balliu e ka nisur te Akademia e Barcelonës, “La Masia”, duke luajtur me Barcelonën B, më pas në Portugali me Aroukën dhe kalimi te Metc, në Francë

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here