Balaj: Shpresoj të luaj të martën

0

Bekim Balaj nuk luajti ndaj Italisë, por ndryshe nga disa lojtarë të tjerë nuk polemizon. Nga Durrësi, sulmuesi shkodran ka folur në konferencë për shtyp, duke folur për tema të ndryshme, nga dëshira për të luajtur kundër Bosnjes e deri te ndeshja kundër Italisë…

DËSHIRA PËR TË LUAJTUR “Ishte zgjedhja e trajnerit, nuk ka lidhje forma ime. Është e vërtetë që pas afro tre muajsh pushimi kampionati rus kishte rinisur prej tri javësh, por këto ndeshje i kam luajtur të plota dhe jam i gatshëm e në formë. Siç isha me Italinë jam edhe për Bosnjën dhe shpresoj të kem mundësi të jap kontributin tim. Normalisht unë kërkoj dhe shpresoj të jem gjithmonë titullar, pastaj ajo është zgjedhje e trajnerit”.

STOLI NDAJ ITALISË “Kur je pjesë e Kombëtares, normalisht dëshira është e madhe për të dhënë kontribut në çdo ndeshje. Aq më tepër në ndeshje të nivelit të tillë si Italia, që është ëndërr për gjithsecilin nga ne. Duke u kthyer në fëmijërinë tonë, jemi rritur me kampionatin italian. Dëshira ishte e madhe, gjithsesi zgjedhja e trajnerit ishte që të mos luaja në atë ndeshje. Tani vazhdojmë përpara, shohim ndeshjet e tjera”.

SHQIPËRIA NUK SHËNON MË “Në Itali deri diku ishim edhe të pafat, pasi disa mundësi na u dhanë. Megjithatë, nuk duhet të gjejmë fajtorin nëse është sulmi apo mesfusha. Ne luajmë si ekip, si kolektiv, dhe kur shënojmë është merita e të gjithëve. Sulmuesi thjesht duhet ta finalizojë. Cikalleshi dhe Roshi që ishin pjesë e sulmit nuk e kishin fatin me vete, pasi ndeshja mund të merrte një rrjedhë tjetër. Shohim përpara dhe shpresojmë të shënojmë kundër Bosnjës”.

 

KRIZA E RE, ME LARGIMETE XHAKËS DHE ABRASHIT “Nuk e di arsyen e vërtetë pse Xhaka dhe Abrashi u larguan nga grumbullimi. Atmosfera në skuadër është e mirë, siç ka qenë gjithmonë. E kemi treguar përherë se kemi ecur mirë dhe kemi arritur rezultate falë grupit të mirë qe kemi  krijuar gjatë këtyre viteve. Se një apo dy lojtarë mund të mos jenë pjesë e ekipit për arsyet e tyre, grupi vazhdon të jetë i fortë dhe të gjithë bashkë shohim përpara”.

VENDI I TRETË, OBJEKTIVI I MBETUR Ndeshjen e radhës e kemi kundër Izraelit, kundërshtarit direkt që na ka mbetur në grup. E rëndësishme për ne është që të bëjmë më të mirën në këto ndeshje që kanë mbetur, pastaj bëhen llogaritë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here