Balaj: Nuk e shfaqëm dot grintën tonë, tani të detyruar të fitojmë në Andorrë

Bekim Balaj e nisi titullar kundër Turqisë dhe mund të kishte shënuar dje, por nuk ia doli. Sulmuesi shkodran foli për takimin e djeshëm, problemet e shfaqura, dhe për atmosferën në ekip pas largimit të trajnerit Kristian Panuçi.

“Sigurisht ne vazhdojmë punën, kemi një ndeshje shumë të rëndësishme përpara. Vijmë pas një humbjeje dhe ndoshta është detyrim fitorja kundër Andorrës. Po punojmë të përqendruar në maksimum për këtë ndeshje”, deklaroi Balaj fillimisht.

KU ÇALOI SKUADRA – “Ishte ndeshja e parë dhe luanim në shtëpi, ndaj e dinim rëndësinë e kësaj ndeshjeje për ne. Mund të them që mbështetja ishte e madhe dhe gjej rastin t’i falënderoj tifozët. Sigurisht më vjen keq që nuk i shpërblyem dot me një fitore. E thashë, është vetëm ndeshja e parë. Rrugëtimi është shumë i gjatë dhe na duhet mbështetja e tifozëve dhe i të gjithëve, që të arrijmë objektivat që kemi në këto kualifikuese. Humbje në ndeshjen e parë, por dëshira ishte e madhe për të bërë mirë. Pjesën e parë ndoshta luajtëm edhe më mirë se turqit, por rastet që na u dhanë nuk arritëm t’i finalizonim. U dënuam në një moment që ishte më shumë gabim i yni, se meritë e kundërshtarit. Pastaj ndeshja pati histori tjetër”.

MUNGESA  E GRINTËS – “Grinta dhe lufta sportive na ka karakterizuar si ekip. Nuk mund të them se nuk kishte dëshirë, dëshira ishte e madhe dhe nuk arritëm ta shfaqnim. Ajo ndoshta na penalizoi. Goli i dytë i tyre u shënua shumë shpejt dhe ndoshta ndikoi edhe të besimi i skuadrës pastaj”.

FITORJA ME ANDORRËN – “Kishim besim edhe para ndeshjes me Turqinë. Ndeshja me Andorrën është detyrim për ne. Obligim nuk do të thotë që është e lehtë për ne, por do të shkojmë atje dhe do bëjmë çdo gjë për të marrë rezultat pozitiv në atë ndeshje”.

SITUATA NË KUALIFIKUESE – “Tani llogaritë bëhen me pikë. Nuk ka rëndësi historia, si i kemi nisur më përpara fushatat kualifikuese, sepse po të shohim historinë, ndoshta i bie që të themi që më mirë që humbëm, se nuk kemi mundësi të kualifikohemi. Megjithatë, një herë jemi kualifikuar. Llogaritë bëhen me pikë dhe normal që lënia e pikëve na penalizoi. Rrugëtimi është i gjatë dhe ky ekip ka treguar që edhe në ndeshje direkte kundër Turqisë kemi fituar atje. Pretendojmë të fitojmë atje dhe ndaj ekipeve të tjera që kemi në grup”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *