Balaj kalon tek Rijeka në Kroaci

0

2015 ka nisur me lëvizje të rëndësishme në merkato për futbollistët e kombëtares shqiptare. Pas Andi Lilës dhe Ermir Lenjanit është Bekim Balaj, emri i 3-të i rëndësishëm i kuqezinjve që transferohet në tregun e shitblerjeve të futbollistëve. Sulmuesi shkodran do të jetë një lojtar i HNK Rijekës nga tani e mbrapa. Futbollisti, që në 2014 shënoi golin e fitores në Portugali, i jep kështu fund aventurës së tij në Ceki me ekipin e Slavia Prague për t’u transferuar tashmë në kampionatin kroat. Balaj bashkë me menaxherin e tij, të licencuar dhe nga Fifa, Shkumbin Cormemeti gjenden në Kroaci për të finalizuar marrëveshjen.

Futbollisti pritet t’i nënshtrohet këtë të enjte vizitave mjekësore dhe pas tyre do të zyrtarizohet dhe arritja e marrëveshjes. Lajmin për Sport News e bëri të ditur pikërisht menaxheri Cormemeti. Për Balajn kjo mund të konsiderohet një lëvizje e rëndësishme në karrierë pasi HNK Rijeka, sezonin e kaluar u rendit e dyta në kampionatin kroat, pozicion që mban dhe aktualisht në renditje duke qenë rivali kryesor i Dinamos së Zagrebit në garën për titull. HNK Rijeka konsiderohet si një prej klubeve më të pasura në futbollin kroat dhe Balaj pritet të jetë zgjedhje e parë e trajnerit slloven Matjaz Kek, që tre vite më parë u përfol dhe për një ulje të mundshme në stolin e kombëtares shqiptare. Në Kroaci luan gjithashtu dhe sulmuesi tjetër i përfaqësueses Sokol Cikalleshi, i cili në fakt është përfolur për një kalim të mundshëm në Itali, në radhët e Sampdorias. / Super Sport

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.