Bakajoko ka bindur Milanin, prioritet blerja e kartonit nga Çelsi

Jeta e Timue Bakajoko ndryshoi në mënyrë radikale. Nga etiketimi si një blerje e dështuar në fillim të sezonit, tashmë mesfushori është kthyer në një lojtar të rëndësishëm te kuqezinjtë. Gjithçka ka ndodhur gjatë muajit të fundit. Ish-lojtari i Çelsit nuk u ndikua nga kritikat dhe vërshëllimat në “San Siro”, por u përgjigj në fushë.

Shumë punë, forcë karakteri dhe mentalitet prej lojtari të madh. Një sjellje, e cila u vlerësua nga të gjitha hallkat e klubit, si nga drejtuesit ashtu edhe nga stafi teknik. Me paraqitjet e tij, Bakajoko largoi edhe dyshimet e fundit, që mund të kishin Leonardo dhe Maldini. Dy drejtuesit kuqezi tashmë kanë vendosur që blerja e plotë e kartonit të lojtarit, të jetë prioriteti në merkato.

Edhe Gatuzo e ka “bekuar” qëndrimin e mesfushorit, pasi e vlerëson rritjen e tij edhe si një fitore personale. Trajneri e ka mbrojtur në periudhën kur të gjithë e sulmonin, i dha hapësira e besim, ndërsa Bakajoko i’a shpërbleu me paraqitjet në fushë. Te Milani janë gati të ulen në bisedime me Çelsin, ndërsa objektivi është që të ulet disi shifra e 35 milionë eurove, që pretendojnë londinezët për kartonin e lojtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *