Bakaj: Largohem pa pengje, dua titull në Bjellorusi

Elis Bakaj lë Shqipërinë  për Bjellorusinë, krejt papritur, dy muaj para mbylljes së sezonit. Ofertë e shkëlqyer, si për futbollistin, ashtu edhe për Kukësin, që merr rreth 100.000 euro për një futbollist që në qershor dilte i lirë në treg. Për Supersportin Bakaj shpjegon siu krye operacioni blic: “Ndodhi shumë papritur. Normalisht kisha dijeni, pasi ishim në bisedime prej afro 2-3 javësh. Në këtë periudhë nuk isha transferuar ndonjëherë, por unë jam profesionist, futbolli është biznes dhe si unë edhe klubi duhet ta marrim si një gjë normale, sepse ndodh në të gjithë botën. Futbolli është i papritur, sepse sot je këtu, nesër mund të jesh në një vend tjetër. Unë jam mësuar me këto gjëra, nuk më bën përshtypje dhe nuk kam ndonjë peng. Besoj që kam bërë zgjedhjen më të mirë, shpresoj të kem shëndet që të bëj atë që di të bëj më mirë”.

Kukësi ka dalë gjithashtu i fituar: “Edhe klubi ka interesat e veta. Për një ekip futbolli që të shesë lojtar, aq më tepër në moshën 30-vjeçare nuk është gjë e vogël. Megjithatë Kukësi ka ekip cilësor dhe ka individë që mund të bëjnë diferencën dhe nuk është se do të ndihet mungesa e Bakajt, ashtu siç e kanë bërë edhe më para. I uroj suksese, ekipit, lojtarëve, të gjithë stafit. Ia kam kaluar shumë mirë aty në këtë periudhë dhe uroj që të arrijnë majat e futbollit shqiptar”.

Tani vjen kalimi te Shakhter Soligorsk, klub që kërkon titullin: “Është një ekip që gjithmonë pretendon për titullin. Vjet e humbi kampionatin në javën e fundit, ku Bate ia fitoi vetëm për tre pikë, gjithashtu humbën finalen e Kupës me penallti. Edhe këtë vit janë të etur për trofe”.

Pritshmëria e Bakajt: “Çfarë pres? Kam eksperiencë shumë të gjatë në futboll, kam eksperiencë edhe jashtë vendit. Nuk do të shkoj më si një 20-vjeçar që nuk kisha dalë ndonjëherë nga Shqipëria dhe do të jap maksimumin për ekipin që të arrijmë objektivat që ka. Për momentin jam shumë i gëzuar që kam arritur të firmos me një ekip pretendent, që synon gjithmonë titullin. Është një eksperiencë e re për mua dhe e pres me krahët hapur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *