Bakaj është super: Sfiduam lodhjen, dua të shënoj pafund!

0

Shahtjor Soligorski mori tre pikë me vlera në transfertë ndaj Dinamo Brest. Protagonist në fitoren 1-3 ishte edhe Elis Bakaj, i cili pas ndeshjes ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit dhe fillimisht futbollisti kryeqytetas ka deklaruar: “Sigurisht që jam i kënaqur për fitoren e arritur. Ishte një ndeshje e rëndësishme, Dinamo Brest është një ekip serioz, por ne ishim në gjendje të shënonim tre gola dhe të fitonim. Jam i lumtur!”.

Por jo gjithçka ka shkuar perfekt dhe Bakaj e pranon se nuk e nisën mirë ndeshjen. Kjo ka edhe disa arsye, që sulmuesi i shpjegon: “Jam dakord që nuk e nisëm mirë ndeshjen. Një nga arsyet është se kemi luajtur në Uells tre ditë më parë. Dhe, sigurisht që është e vështirë: avion, autobus… Pastaj mos të harrojmë se na kundërvihej një ekip i mirë dhe që luante në shtëpinë e vet. Por ne e menaxhuam situatën dhe ristrukturuam veten”.

Bakaj shënoi gol dhe asistoi dhe normalisht kjo ka rëndësinë e vet: “Normalisht që për një lojtar në pozicionin tim statistikat janë të rëndësishme. Dhe nuk e fsheh se dua të shënoj dhe të jap asiste sa më shumë. Por gjëja më e rëndësishme është që ekipi ka bërë një hap të mirë në kampionat. Jam i kënaqur që në njëfarë mënyrë jam përfshirë në këtë”.

Në fund Bakaj falënderon edhe tifozët: “Normalisht që u ndje mbështetja e tifozëve. Ishte shumë bukur t’i shihja ata dhe në një numër të tillë dhe në një ndeshje kaq të vështirë. Ata gjithmonë na ndihmojnë ne dhe i falënderojmë shumë”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.