Bakaj-Demollari, një gjyq dhe 20 mijë euro në mes

Elis Bakaj është pjesë e Shaktar Soligorskit në Bjellorusi dhe prej një viti fantazisti kryeqytetas nuk po përballet më me rivalë shqiptarë, por ndërkohë për të disatën herë përballet në gjyq me Sulejman Demollarin, i cili ishte njeriu që e transferoi në janarin e vitit 2011 te Dinamo e Bukureshtit.

Nga ajo që mëson “SportEkspres.com”, kjo është e katërta herë që Demollari ngarkon një studio ligjore për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje. Në tri rastet e mëparshme gjykatësit e kanë pushuar çështjen dhe tanimë legjenda e Dinamos dhe kombëtares ka nisur sërish betejën.

Më datë 17 dhjetor është zhvilluar edhe seanca e parë e gjyqit dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Përplasja, nëse mund të quhet e tillë, ka nisur që pas transferimit të Bakajt te Dinamo e Bukureshtit në Rumani dhe Demollari ka vënë në dispozicion të juristëve që po merren më këtë çështje marrëveshjen e tij me 31-vjeçarin.

Në vitin 2014 pretendimet e Demollarit kapnin shumën e 20 mijë eurove, teksa Gazeta Shqiptare në shtator të atij vitit shkruante se Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë kishte paraqitur këtë objekt: “Detyrimin e të paditurit të paguajë shumën prej 20.000 (Njëzetmijë) euro si më poshtë: Shumën e detyrimeve kontraktuale të papaguara që lidhen me detyrimet e lindura nga kontrata e bashkëpunimit e datës 4.2.2011, të hartuar nga notere Majlinda E. Demollari, me nr 961 rep. Dhe 330 kol., të firmosura nga palët, në shumën 20.000 (Njëzetmijë) euro, që përfaqëson 12% të pagës së përfituar për periudhën mars 2011-korrik 2014”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *