Bakaj: Bjellorusia më ka befasuar, mund të rinovoj. Maradonës nuk ia prish askush festën!

Elis Bakaj ndoshta nuk e mendonte se do t’i duheshin 13 ndeshje për të gjetur golin e parë në Bjellorusi, pasi nuk është mësuar që të qëndrojë kaq gjatë pa gol. Megjithatë, kalimi nga Shqipëria në një vend të panjohur, në një kulturë të re dhe me skema loje krejt ndryshe, natyrisht që do të kërkonte kohën e vet. 12 korrik, Shahtjor Soligorsk debutoi në Europa League për këtë sezon, kundër uellsianëve të Connah’s Quay, ishte shansi i Bakajt. Ish-sulmuesi i Kukësit shënoi në fitoren 3-1 dhe që atë ditë është “tërbuar”. Gol dhe fitore në Brest, përballë Dinamos ku president është bërë Maradona, gol sërish ndaj Connah’s Quay në kthim, por edhe ndaj Leh Poznanit në vajtjen e turit të dytë në Europa League. 4 ndeshje, 4 gola, futboll cilësor dhe rezultate, Shahtjori i gëzohet sulmuesit të vet, shqiptari buzëqesh, sepse ka bërë zgjedhjen e duhur, duke pranuar milionat bjelloruse. Për “Sport Ekspres”, Bakaj flet për aventurën bjelloruse, për 4 muajt aty dhe për ambiciet e tij.

– Katër gola në harkun e pak ditëve, je kthyer në lojtarin lider në Soligorsk. Çfarë mund të na thuash për këtë ecuri fantastike?

– Jam shumë i lumtur që kam arritur të gjej rrugën e rrjetës. Përveç kësaj, jam i lumtur që gjërat po shkojnë ashtu siç i kisha parashikuar në Bjellorusi.

– Si është futbolli aty, krahasuar me Shqipërinë?

– Këtu është më fizik, në Shqipëri është më teknik. Realisht është futboll i vështirë, nuk e prisja kaq të vështirë.

– E megjithatë klasi yt ka bere diferencën. E prisje të ishe kaq vendimtar në këtë periudhe, pas fillimit pa gola dhe ambientimit disi të vështirë?

– Çdo ekip i ri do kohën e vet për t’u ambientuar. Tani jam ambientuar shumë mirë dhe jo më kot po shënoj rregullisht.

– Tre gola në tre ndeshje në Europë, me Bakajn në Soligorsk ëndërrojnë të shkojnë larg në arenën ndërkombëtare?

– Ne shpresojmë që në ndeshjen e kthimit në Poloni të fitojmë, por do jetë një ndeshje shumë e vështirë, na duhet të bëjmë një ndeshje perfekte atje, duke qenë se barazuam 1-1 në Bjellorusi, me Leh Poznanin që shënoi në fund të ndeshjes.

– Ke shënuar edhe ne kampionat, i prishe festën Maradonës, çfarë ndjesie ishte?

Maradona është Maradona, legjendë. Askush nuk mund t’ia prishë festen atij. E kam thënë që ishte një kënaqësi të takoja një legjendë të vërtetë si ai.

– Si ishte takimi me të, je nga shqiptaret e paktë që i ka shtrënguar dorën. A pate mundësi te shkëmbeje ndonjë fjalë para apo pas ndeshjes?

– Jo, thjesht u takuam para ndeshjes dhe kaq, por ishte një kënaqësi e veçantë.

– Elis, ke luajtur në Ukrainë, Rumani apo Izrael. Ku do e kategorizoje Bjellorusinë si ligë, për sa i takon konkurrencës?

– Kam qenë në disa kampionate në Europë, po e thashë edhe më sipër që këtu futbolli është shumë fizik dhe ka 4-5 ekipe që kanë buxhete te larta dhe kanë lojtarë cilësorë.

– Synimi për këtë sezon mbetet titulli, edhe pse BATE duket larg? Besoj një objektiv i ekipit dhe i Elisit vetë?

– Normal që po, ai është synimi kryesor, edhe pse rivaliteti është i egër.

– Deri kur është kontrata në Soligorks dhe a do të të pëlqente të qëndroje sa më gjatë?

Kontrata me përfundon në 31 dhjetor 2018 dhe e kam thënë që ndihem shumë mirë këtu, pse jo mund te rinovoj. Le t’ia lëmë kohës.

– Luan vetë në Europë, shqiptarët i ke ndjekur? Kukësi mendon se ka shanse ndaj Karabakut?

– Po, Kukësin e kam ndjekur. Unë them qe ka shanse, pavarësisht se do jetë një ndeshje shumë e vështirë në Azerbajxhan.

– Gara për titull në Shqipëri: Kukësi, Skënderbeu, Partizani, Tirana apo Flamurtari. Kush mendon se e fiton dhe Elisi kë do preferonte, duke qenë se një pjese të madhe të këtyre ekipeve i njeh mire?

– Unë them se do jetë një gare midis këtyre ekipeve që po bëjnë investime të rëndësishme. E kam te vështirë ta them, sepse nga 5 ekipe kam luajtur me 3 prej tyre (qesh). E rëndësishme është të bëhet një kampionat i bukur dhe në fund ta fitojë më i miri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *