Bajerni prish rregullat, ofertë të çmendur Sançezit

Në dekadën e fundit futbolli ka ndryshuar rrënjësisht nga investimet e frikshme të rusëve, sheikëve e tani kinezëve. Për këtë arsye, shifrat e transferimeve të lojtarëve kanë arritur në nivele të frikshme, ashtu si pagat e tyre.

Ndërkaq, ka edhe kampionate si ai gjerman, që po arrin të ruajë një baraspeshë mes shpenzimeve të çmendura dhe arkëtimeve, aq sa Bajerni i Mynihut prej vitesh krenohet me fitimet kolosale dhe faktin që nuk futet kurrë në garë me Realin, Mançester Sitin apo klube të tjerë, që vendosin rekorde blerjesh e pagash.

Megjithatë, ndoshta këtë verë bavarezët mund të prishin rregullin e trumbetuar prej tyre, sepse “kicker” shkruan sot se Aleksis Sançez kërkohet me çdo kusht dhe Bajerni është gati të bëjë nj çmenduri.

Plot 25 milionë euro (bruto) në vit i ofrohen kilianit të Arsenalit, që do të thotë më shumë se 12 milionë euro në sezon, shifër e jashtëzakonshme për futbollin gjerman. Sa për krahasim, yjet Levandovski, Riberi e Roben marrin diku te 7-8 milionë euro neto në vit, 15-16 milionë bruto.

Sançez është një futbollist që Karlo Ançeloti e kërkon me çdo kusht te Bajerni, sepse di të luajë në shumë role, si sulmues i parë, si sulmues i dytë, si anësor dhe në rast nevoje si mesfushor, përveçse vrapon pa fund dhe ndihmon edhe në fazën mbrojtëse.

Arsenali ka deklaruar ditët e fundit se kiliani nuk është në shitje, por ka një problem: Sançez del me parametër zero në verën e vitit 2018 dhe nëse nuk rinovon deri në gusht, nuk ka shans që Arsenali ka mbajë me “dhunë” një vit dhe pastaj ta lëshojë falas.

Pikërisht këtu futet në skenë Bajerni: kontratë “përbindëshe” për Sançezin, me kushtin që ai të mos rinovojë dhe t’ia bëjë të qartë Arsenalit që dëshiron vetëm Bajernin. Nëse kjo ndodh, Arsenali vihet mes dy zjarreve dhe detyrimisht do ta shesë sulmuesin për çmimin që dëshiron Bajerni, pra jo më shumë se 40-50 milionë euro, edhe pse klubi londinez deklaron se nuk e shet as për 80 milionë.

Sido që të jetë, Sançez është i destinuar të shkojë te Bajerni, që do të vendosë një rekord të ri, sepse deri tani dy blerjet më të shtrenjta në historinë e futbollit gjerman janë Havi Martinez (40 milionë euro) dhe Arturo Vidal (37). Ndërkaq, 7 operacionet më të shtrenjtë në historinë e futbollit gjerman janë të gjitha shitje: De Brujne për 74 milionë te Mançester Siti dhe më i fundit, Draksler te PSG për 40 milionë.

Në Gjermani e kanë kuptuar: nëse nuk shpenzojnë sa klubet e elitës, do të mbeten pas në garë për trofetë madhorë. Jo më kot, dje Dortmundi i pagoi 20 milionë euro Frajburgut për mesfushorin Maksimilian Filip, aq sa edhe ky vetë deklaroi: “Më paguan më tepër nga sa e meritoj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *