Bajerni, pengesa e fundit për Realin para… rekordit

Bajerni i Mynihut është ekipi i fundit në histori që ka fituar tri herë radhazi kupën me veshë të gjatë. Reali gati ta “imitojë”

Takimi i sotëm mes Realit të Madridit dhe Bajernit të Mynihut është më shumë se një gjysmëfinale. Është më shumë se kaq, sepse në mes është rivaliteti i përjetshëm, është dhe një rekord për t’u mbrojtur. Bajerni do të zbresë sonte në fushë në “Bernabeu” për të përmbysur 1-2 të takimit të parë në “Allianz Arena”. Në takimin e vajtjes, Bajerni ka shpërdoruar shumë. E si të mos mjaftonin këto, i ka dhuruar praktikisht dy gola madrilenëve, të cilët nuk kanë falur.

E për më shumë në mes është dhe çerekfinalja e sezonit të kaluar, ku bavarezët u ndien të vjedhur në Madrid. Por në mes është dhe një rekord. Reali është në kërkim të finales së tretë radhazi dhe pse jo suksesit të tretë radhazi në Champions. Po kush ka qenë skuadra e fundit që ia ka dalë? Pikërisht rivali i sotëm, Bajerni i Mynihut edhe pse asokohe liga e sotme e kampionëve njihej me emrin Kupa e Kampioneve të Evropës. Në Bajernin e atëhershëm bënin pjesë figura si Uli Hënes – sot president – Karl Hainc Rumenige – sot administrator i deleguar – dhe janë ata të parët që nuk duan kalimin e Realit në finale.

Bajerni “i fundit” – Në historinë e futbollit vetëm tri skuadra kanë mundur të ngjiten në majën e Evropës për të paktën tri herë radhazi: Reali i Madridit (1956-1960), Ajaksi (1971-1973) dhe Bajerni i Mynihut (1974-1976), tre titujt e parë nga pesë të fituar gjithsej nga bavarezët. Ishin vitet kur Bajerni u kthye në fuqinë e parë absolute në Gjermani dhe një ndër klubet më të mëdhenj në botë. Historia e lavdishme e Bajernit kishte nisur që në vitin 1968 me Branko Zebek në stol. U bë i pari trajner që i ndali lojtarëve të Bajernit pijen simbol, birrën. Zgjedhja e tij u kritikua ashpër, teksa as lojtarëve nuk u pëlqeu. Por sukseset bënë që të harrohej gjithçka. Në vitin 1972 Bajerni ndërroi shtëpi, duke kaluar nga “Gruenëalder Strasse” në “Olympiastadion”.

Në sezonin 1971-1972, Bajerni tregoi se ishte kthyer në një superfuqi, Gerd Myler 40 gola në Bundesligë, një rekord që mbahet në këmbë edhe sot e kësaj dite. Bëhej fjalë për Bajernin e Sep Maier në portë, Franc Bekenbauer, Uli Hënes e Gerd Myler. Suksesi i trefishtë në Kupën e Kampioneve – duke nisur nga sezoni 1973-1974 –  çuditërisht nisi keq për Bajernin, që rrezikoi eliminimin nga Atvidaberg ku u kualifikua vetëm falë penalltive dhe ku Myler me shokë u kritikuan ashpër. Që aty ama nisi triumfi historik. U kaluan me radhë Dinamo e Drezdenit, Ujpeshti dhe në finale Atletiko Madrid, në dy finale. Në finale e parë gjithçka u mbyll 1-1 me Bajëernin që barazoi në minutën e 120-të (Shvarcenbek).

Për të shpallur fituesin duhej një tjetër takim, ku Bajerni triumfoi 4-0 me dy gola nga Hënes dhe dy të tjerë nga Myler. Një sezon më pas Bajerni shkoi në finale pasi kaloi Magdeburgun, Ararat të Jerevanit dhe Sent Etienin. Në finale jo pa polemika bavarezët mposhtën Lidsin 2-0. Anglezëve iu anulua një gol i rregullt kur rezultati ishte 0-0 dhe nuk iu akordua një penallti e pastër. Sipas kronikave të kohës, arbitrimi ishte kundër anglezëve për shkak të huliganëve të cilët kishin shkaktuar trazira gjatë gjithë ditës.

Kryevepra e Bajernit u kompletua në sezonin 1975-1976, ku para finales ata eliminuan Zhënes Esh të Luksemburgut, Malmonë, Benfikën dhe Realin në gjysmëfinale. Në finale një 1-0 përballë Sent Etienit falë golit të Rot. Tani më shumë se 40 vjet më pas, Reali mund të bëhet i pari ekip që fiton tri herë radhazi Ligën e Kampioneve. Dhe në rrugën drejt Kievit, si për ironi të fatit  është Bajerni, i fundit që e ka fituar tri herë radhazi kupën me veshë të mëdhenj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *