Bajerni nuk duron më: Kërkojmë respekt, ne i mbrojmë lojtarët tanë

Bajerni i Mynihut po has vështirësi në këtë fillim sezoni. Katër ndeshje pa fituar mes kampionatit dhe Champions-it janë shumë dhe kritikat ndaj ekipit bavarez kanë prekur majat. Një gjë e tillë ka sjellë reagimin e drejtuesve të klubit. Rumenige dhe Hënes kanë dalë në një konferencë për shtyp, duke mbrojtur ekipin dhe lojtarët e Bajernit.

Dyshja bavarez nuk është e kënaqur me paraqitjet e ekipit, por është vetëm fillimi i sezonit dhe kthesa do të vijë. Bajerni kërkon respekt dhe qetësi. Puna në ekip vazhdon, por “sulmet” kanë kaluar limitet dhe drejtuesit nuk do të tolerojnë më dhe do të mbrojnë ekipin deri në fund.

RUMENIGE

SITUATA – “U mblodhëm të hënën, pas ndeshjes së kombëtares kundër Holandës, dhe vendosëm që nuk do e pranonim më këtë stil pune, këtë sulm konstant ndaj lojtarëve të veçantë. Çfarë nuk kemi lexuar këto ditë, por asgjë në lidhje me paraqitjet, vetëm sulme ndaj lojtarëve. Dinjiteti i lojtarëve tanë nuk mund të preket me ligj, ndaj nuk do ta lejojmë të ndodhë më një gjë e tillë. Nuk e përshkruaj dot ndjesinë kur lexova disa gjëra për Manuel Nojer. Si mund të kritikohet një si Nojer, apo të shkruhen gjëra të tilla për Humels e Boateng? E njëjta gjë vlen edhe për Riberi e Roben. Këta djem kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në dekadën e fundit për ta bërë Bayern-in një yll të shndritshëm në futbollin botëror. Më duken polemika boshe polemikat për moshën e tyre. Dua t’iu kujtoj gazetarëve gjermane se ata dhe kolegët e tyrë kanë thënë se transferimi më i madh i këtij sezoni është një 33-vjeçar (Kristiano Ronaldo).”

EKIPI – “Kemi 6 vite që festojmë, kemi fituar gjithçka të mundshme dhe Gjermania ka fituar Botërorin në 2014. Shumë lojtarë ishin të ekipit tonë. Edhe ne kemi mbetur të pakënaqur nga rezultatet dhe loja e skuadrës, por nuk ia lejojmë vetes të sillemi keq me lojtarët. Do t’i mbrojmë, edhe ligjërisht, lojtarët tanë. Nojer ka qenë i pafat në disa ndeshje, si në Augsburg, apo ndaj Holandës, por kjo nuk është arsye për ta hedhur në plehra. Nuk duam ta gjejmë shkakun e krizës te mediat, nuk duam lëvdata nëse humbasim, por duam mbulim serioz dhe me fakte. Ne kemi kanalet tona dhe do t’i bëjmë gjërat si duam ne tani e tutje.”

HËNES

RESPEKTI – “Është e rëndësishme që klubi më i rëndësishëm në Gjermani të respektohet nga mediat. E pabesueshme dhe mungesë totale respekti ajo që ndodhi me trajnerin e kombëtares Jogi Lëv, sepse ai nuk e meriton këtë sjellje. Doni një shembull tjetër? Salihamixhiç dhe Kovaç shkuan në një ndeshje basketbolli dhe 4-5 persona po fishkëllenin. Po Bild çfarë bën? Shkon dhe i kërkon Telekomit nëse mund të marrë pamjet filmike. Kjo është mungesë respekti. Nuk kthehet gjithçka përmbys për 14 ditë.”

BERNAT – “Na sulmojnë dhe kritikojnë pse shitëm Bernat, sikur humbja ndaj Gladbah erdhi se mungonte ai. Spanjolli thuajse na kushtoi Champions-in në Sevilje kohë më parë dhe më pas vendosëm ta shisnim. Bavaria ka qenë gjithnjë një familje, ne nuk i sulmojmë lojtarët tanë, edhe nëse Nojer gabon, qoftë edhe 4-5 ndeshje. Secili ka mendimin e vet, por bilanci bëhet në fund të sezonit. Do ta shohim në fund se kush ka pasur të drejtë.”

OZIL & BELARABI – “Nuk duhej të thosha që ka luajtur si plehrë, duhej të përdorja fjalën papastërti. E pranoj që pas ndeshjeve thuhen gjëra nga emocionet e forta. Gabova edhe me kritikat ndaj Bellarabit, nuk duhej të thosha ‘i sëmurë mendor‘ pët të.”

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *