Bajerni mendon për planin B, agjenti i Venger i pranishëm në “Allianz Arena”

Niko Kovaç nuk ka pasur një fillim ëndrrash në detyrën e re si trajneri i Bajern Mynihut. Pas 12 ndeshjesh në Bundesligë, bavarezët ndodhen në vendin e pestë të renditjes, 9 pikë larg kryesuesve të Borusia Dortmundit.

Është e natyrshme që në këtë situatë, drejtuesit e klubit të mendojnë për një plan B, në rast se kroati nuk arrin të rikthejë ekipin në rrugën e duhur. Shpëtimtari i vjetshëm, Jup Hajnkes, nuk është më një opsion. Megjithatë trajnerët e lirë janë me shumicë dhe sipas “SPORTBILD”,  emri më i përfolur për të pasuar Kovaç është Arsen Venger.

Një tjetër fakt që mbështet “kandidaturën” e francezit është prania e agjentit të tij në tribunën “VIP” të “Allianz Arena”, gjatë takimit të së martës midis Bajernit dhe Benfikës. Në fundjavë bavarezët kanë një transfertë shumë të vështirë përballë Verder Bremen, skuadër kjo që këtë sezon ka kaluar pritshmëritë e shumicës. Një humbje ose barazim në këtë 90-minutësh do ishte “fatale” për karrierën e Kovaç si trajneri i kampionëve të Gjermanisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *