Bajerni e nis si kampion, “VAR” i bën dhuratën e parë

0

Bavarezët kanë mundur Leverkusenin 3-1. Dy gola mbajnë firmën e debutuesve Zyle dhe Toliso. Ndeshja shtyhet me 20 minuta

Bajerni i Mynihut e ka nisur mbrojtjen e titullit kampion në Gjermani me një fitore bindëse 3-1 përballë Leverkusenit në “Allianz Arena”. Skuadra e Ançelotit ka dominuar takimin, sidomos në pjesën e parë, teksa në të dytën është ndier lodhja për të dy ekipet. Dy debutues, Niklas Zyle dhe Korrentino Toliso dhe Robert Levandovski me 11 metërsh i kanë mjaftuar Bajernit ta nisë mbarë për të pestin vit radhazi sezonin e ri, teksa për Leverkusenin golin e vetëm e ka shënuar Admir Mehmedi, i shkëlqyer për nga realizimi. Niklas Zyle dhe Korrentino Toliso do ta kujtojnë gjatë debutimin në Mynih, teksa të dy kanë shënuar. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte. Po ashtu do të kujtohet për herë të parë në historinë e Bundesligës dhe akordimi i një penalltie nëpërmjet moviolës në fushë (Video Assistance Referee VAR).

Bajerni dominues – Bajerni ka zbritur me mjaft pikëpyetje në fushë në ndeshjen çelëse të sezonit, pas një faze përgatitore aspak të qetë, me rezultate zhgënjyese dhe dëmtime të shumta. Por skuadra e Ançelotit ka treguar një tjetër fytyrë kur vjen puna tek pikët. Tekniku italian ka hedhur në fushë tri nga blerjet e verës Rudi, Toliso dhe Zyle. Dhe ka qenë ky i fundit, i cili ka dhënë epërsinë Bajernit pas 9 minutash lojë. Krosim nga e majta dhe Zyle kërcen me kokë duke shënuar. Bavarezët janë dominues në fushë, presing i fortë, pasime të dendura në mesfushë që gjejnë të papërgatitur Leverkusenin. Loja e mirë e Bajernit shpërblehet në minutën e 19-të kur një tjetër blerje e verës, Toliso dyfishon shifrat, duke u mjaftuar me kaq në pjesën e parë.

Shtyrja nga shiu – Pjesa e dytë ka nisur me 20 minuta vonesë në si pasojë e një rrebeshi shiu mbi qiellin e “Allianz Arenës”. Mynihu ngjan më shumë me një atmosferë vjeshte e dimri se vere.

“VAR” dhe Mehmedi – Me rifillimin e ndeshjes protagonist bëhet… moviola në fushë. Minuta e 51-të futet në historinë e Bundesligës. Aranguiz ndalon  Levandovskin, gjyqtari Shtiler nuk fërshëllen në momentin  parë, por në orën e tij mbërrin sinjali që tregon se ka diçka të dyshimtë në zonë. 565km më lart, që nga Këlni, Johen Dres sinjalizon gjyqtarin për penallti! Levandovski shënon dhe loja mbyllet këtu, pasi Bajerni heq dorë. Mehmedi shënon një gol të shkëlqyer për “Aspirinat” (65’), por pa i prishur mbrëmjen Bajernit, që e nis sezonin e 55-të të Bundesligës me një fitore bindëse.

Bajern – Leverkusen  3-1

Shënues: Zyle 9’, Toliso 19’, Levandovski 53’ (11m) / Mehmedi 65’

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image