Bajern përmbys PSG-në e “fëmijëve”, luan edhe Meritan Shabani

Pas startit me fitore të Dortmundit ndaj Mançester Sitit në turneun International Champions Cup, edhe Bajerni i Mynihut e ka imituar, sepse skuadra bavareze ka mundur 3-1 me përmbysje PSG-në, në një sfidë të luajtur në Klagenfurt të Austrisë. Gjermanët shënuan tre herë në pjesën e dytë, duke zhvlerësuar golin e realizuar nga Ueah në pjesën e parë në minutën e 31-të. Kujtojmë që autori i golit për francezët është i biri i legjendës së Milanit dhe PSG-së, Zhorzh Ueah.

Ishte një ndeshje që natyrisht i pa skuadrat pa shumicën e yjeve, por nëse Bajerni kishte emra si Bernat, Rafinja, Martinez, Renato Sançes, Roben, Riberi e Vagner, apo Alaba e Koman në stol, PSG ishte me të rinjtë e klubit, me përjashtim të legjendarit Xhixhi Bufon dhe mesfushorit Rabio.

PSG bëri sa mundi, duke kryesuar një pjesë loje, por në pjesën e dytë Bajerni ishte dukshëm superior në aspektin e eksperiencës dhe shënoi me Martinez, Sançez dhe Zirkze.

Ra në sy edhe aktivizimi i Meritan Shabanit në radhët e Bajernit. 19-vjeçari nga Kosova u fut në lojë në fillimin e pjesës së dytë. Mesfushori është rritur tek moshat e kampionëve të Gjermanisë dhe tekniku kroat duket se e ka në listën e lojtarëve që do të vëzhgojë gjatë kësaj periudhe.

Bajern – PSG        3-1

Shënues: Martinez 60’, Sançez 68’, Zirkze 78’ / Ueah 31’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *