Avokati austriak i Kukësit: Telefonat të pastër, padi edhe ndaj SportRadar!

Skandali i Vjenës, ku Kukësi u ndal për disa orë nga policia austriake, para nisjes për në Moldavi, duket se ka qenë një flluskë sapuni dhe nuk do të ketë ndonjë vazhdim si histori. Të paktën kështu pretendon avokati austriak i Kukësit, Klaus Ainedter. I kontaktuar me urgjencë natën e 10 korrikut, Ainedter shkoi në polici dhe mori përsipër mbrojtjen e Kukësit, që ishte pa avokat me vete, duke mos menduar kurrë se do të haste telashe të tilla.

Në një intervistë për Top Channel, avokati i ekipit të Kukësit tregon gjithçka rreth çështjes, duke sqaruar se tashmë Kukësi mund të qëndrojë i qetë: “Për sa i përket skandalit të basteve, kompania zvicerane ‘Sportradar’ u përpoq të tregojë manipulimin për ndeshjen me Dinamo Moskën, për faktin që humbëm 6-0. Unë kam në dispozicion dosjen me deklaratat e lojtarëve dhe menaxherëve të skuadrës të akuzuar. Janë 11 persona që kanë bërë deklarata dhe të gjithë kanë mohuar akuzat për trukim të ndeshjes”.

Avokati austriak thekson edhe një herë se nga kontrollet e telefonave celularë që policia austriake u ka seksuestruar 11 personave të skuadrës verilindore, nuk është gjetur asgjë për momentin: “Nuk ka asgjë të re nga telefonat që i ka sekuestruar policia, për këtë arsye jam optimist se kjo çështje do të mbyllet dhe do t’i rikthehet dinjiteti skuadrës dhe lojtarëve. Mund të jetë çështje javësh, ose edhe muajsh, nuk kam diçka të sigurt për përfundimin e gjyqit”, thotë ai.

Ndërkohë, lajmi i bujshëm është se Kukësi ka ndërmend të paditë edhe “SportRadar”-in, ashtu si ka bërë gati një padi për “Federbet”-in. “Për fakt të keq, është e vërtetë që ngrihen akuza pa fakte. Nëse sheh ndeshjen dhe më pas lexon akuzat, vë re se asgjë nuk ka kuptim. Ka patur edhe për klube austriake, apo rumune me akuza të ngjashme, por nuk ka asnjë sinjalizim për transferta parash dhe ndryshime koeficientësh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *