“Avioni ka fluturuar 6 milje me probleme në motor”, asnjë shenjë për Salën!

Klubi i Kardifit pagoi 15 milionë sterlina te Nanta për të siguruar shërbimet e sulmuesit Emiliano Sala, por e ardhmja e argjentinasit nuk dihet dhe ai mund të mos i provojë kurrë emocionet e Premier Ligës… Avioni që po dërgonte sulmuesin drejt ishullit është zhdukur nga radarët dhe të gjithë po presin me ankth ndonjë lajm pozitiv.

28-vjeçari ka qenë në bordin e avionit të zhdukur, por akoma nuk ka informacion të qartë për ngjarjen e ndodhur pranë farit “Casquets”, në Kanalin e La Manshit.

Dy helikopterë, dy avionë dhe një barkë shpëtimi po kërkojnë avionin PA 46 Malibu, siç raporton policia e ishullit Guernsey. “Kontaktet me avionin janë humbur rreth orës 8:30 të mëngjesit.” Babai i lojtarit, Horacio Sala, ka folur për “Radio Continental”, duke treguar momentin e fundit që ka biseduar me djalin e tij.

Ndodhem në Argjentinë dhe nuk kam asnjë informacion, përveç faktit që po udhëtonte me një avion të vogël. Një shok më tregoi për ngjarjen e ndodhur. Jam në Rosario dhe po vdes nga dëshpërimi. Për herë të fundit kam folur të dielën me Emilianon dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe ai të gjendet.”

Di që avioni ishte i presidentit të Kardifit, ata na informuan se avioni ishte zhdukur dhe se po vazhdojnë kërkimet për të”, shprehet Mercedez, nëna e sulmuesit.

Rojet bregdetare angleze kanë lajmëruar se incidenti ka ndodhur jashtë zonës territoriale të Anglisë, ndërsa kërkimet për të vazhdojnë. Pretendohet se avioni ka patur probleme në motor dhe ka fluturuar rreth 5-6 milje në një situatë të tillë.

Klubi i Nantës i ka kërkuar federatës franceze shtyrjen e ndeshjes së kupës kundër Entente SSG, që ishte programuar të zhvillohej nesër. Presidenti i klubit francez, Valdemar Kita, ka folur për “CNEWS”, duke deklaruar se shpreson që ai të jetë gjallë.

Përshëndetja e fundit me shokët e Nantes

Emiliano ishte një djalë i mrekullueshëm dhe gëzonte respektin e të gjithëve. Mendimet e mia shkojnë për familjen dhe miqtë e tij. Nuk dimë akoma asgjë se çfarë ka ndodhur, por shpresoj që ai të jetë diku. Nuk e dija as që ai kishte ardhur të takohej me shokët e ekipit para se të largohej. Shpresoj që ta gjejmë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *