“Aty e patët e s’e mbajtët”/ Lala mbështet Rashicën: Edhe unë njësoj do ikja te Kosova, miqësia me Taren nuk luan rol

Milot Rashica është një emër që po lakohet së tepërmi në merkaton e futbollistëve. E ardhmja e tij është vendosur që të vijojë larg Bremenit, por mbetet ende për t’u zgjedhur ekipi. Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Altin Lala që njëkohësisht është edhe menaxheri i sulmuesit dardan, ka zbuluar më tepër rreth kësaj çështjeje në një intervistë me “KTV”. Megjithëse nuk ka dhënë një emër konkret, i sigurt mbetet fakti se sezonin e ardhshëm do e shohim të luajë në Champions League. Ndërkohë Lala heq nga lista një prej klubeve dhe është pikërisht Lazio e Tares. Sipas ish-lojtarit kuqezi miqësia e ngushtë me drejtorin sportiv të bardhekaltërve nuk vlen në këtë rast, ndërsa bën me dije se Lazio nuk ka shfaqur ndonjëherë interes për shërbimet e talentit shqiptar.

Por një temë e nxehtë sa herë flitet për Milot Rashicën është edhe ajo e përfaqësueses. Sulmuesi ka provuar të veshë fanellën kuqezi të Shqipërisë, por mospërfshirja në listën e futbollistëve të përzgjedhur për në Euro 2016 bëri që lojtari të vinte inatin përpara e të shkonte menjëherë te Kosova. Megjithatë një zgjedhje e tillë duket mëse e duhur për Lalën, që thotë se edhe ai vetë do të kishte bërë të njëjtën gjë, pasi Rashica është një prodhim i Kosovës.

“Janë disa gjëra që duhet të mbahen në mënyrë diskrete, por shpresojmë që vitin tjetër Miloti të luajë në Champions. Kaq mund të them për momentin, nuk mund t’ju jap një emër skuadre. Ka pasur klube interesante që ia vlejnë për Rashicën dhe që luajnë vazhdimisht në Champions League. Kjo është e rëndësishme dhe shpresojmë që për 2-3 javë ose edhe pak më tepër të marrim një vendim. Pastaj do e marrin vesh edhe mediat së bashku me tifozët.

Lazio mund ta kishte bërë këtë ndërhyrje edhe më përpara, por nuk hyn në listën e klubeve të interesuara për Milotin. Pavarësisht se Igli Taren e kam mik dhe e vlerësoj jashtëzakonisht. Kemi luajtu bashkë dhe kam vlerësim për punën e tij, por për momentin nuk luan miqësia këtu një rol por luan e ardhmja e Rashicës.

Largimi nga Shqipëria për Kosovën? Kjo pyetje vjen shpesh herë. Unë u kam thënë që aty e patët dhe nuk e mbajtët. Mendoj që vendimi i Milotit për të luajtur për Kosovën është i duhur sepse ai është prodhim i Kosovës, ka dalë nga Vushtrria, ka dalë nga futbolli i luajtur në Kosovë. Edhe unë po të isha në vend të tij kështu do vendosja“, ka deklaruar Altin Lala./Halit Delibashi-Sport Ekspres/