Atsina më në fund tregon sa vlen: Golat, për Cungun

Çarls Atsina ishte ndër të paktët lojtarë që e bindi ish-trajnerin Armando Cungu dhe u bë pjesë e Vllaznisë në verë. Nisi të luante, por befas përfundoi në infermieri dhe Cungu u ankua se lojtari kishte ardhur i dëmtuar. Gjithsesi, me rikthimin e tij Atsina arriti të shënonte dy gola në një nga fushat më të vështira në Superiore. Pesimizëm për të dhe shumë paragjykime se Vllaznia ka bërë një autogol kur e mori, por dje ai iu përgjigj të gjithë skeptikëve. Ndoshta është herët për të dhënë një konkluzion përfundimtar, por Atsina ka nisur të lërë gjurmë, sepse golat e tij i dhanë një pikë skuadrës në Kukës.

Pas ndeshjes Atsina u shpreh i lumtur për dopietën: “Para së gjithash, është e rëndësishme që skuadra të marrë një rezultat pozitiv. Arrita të shënoja dy gola me rikthimin tim dhe për këtë jam i kënaqur. Është e rëndësishme të kemi vazhdimësi. Mund të them se ishim pa fat, pasi mund të kishim marrë më shumë, por besoj se dhe një pikë është mirë për momentin. Tani shohim përpara. Së pari, duhet që të punojmë për skuadrën dhe më pas për të menduar për aspektin personal. Uroj që të shënoj sa më shumë dhe ta ndihmoj skuadrën, që të kemi pozicion të mirë në klasifikim. Ku ndryshon Cungu me Gjokën? Të dy janë trajnerë shumë të mirë. Kam luajtur si me Cungun, ashtu dhe me Gjokën tani. Golat ia dedikoj ish-trajnerit Cungu”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *