Atletiko “pa mëshirë”, shkatërron Alaveshin dhe kap Barçën në krye

Atletiko ka kaluar me sukses pengesën e Alavesh. Surpriza e këtij sezoni në La Liga është dorëzuar në “Ëanda Metropolitano”, duke u mposhtur 3-0, në një ndeshje që vetëm rezultati ishte i thellë, pasi loja ishte e ekuilibruar. Kaliniç, Grizman dhe Rodri, ishin autorët e golave për “Los Colchoneros”.

Ndeshja nisi me një Atletiko mjaft kërkuese, ku që në minutat e para madrilenët kërkuan golin. Përpjekjet e të besuarve të Simeones u shpërblyen në minutën e 25-të, ku Santiago Arias krosoi mirë për Nikola Kaliniç, i cili u tregua i saktë dhe dërgoi në avantazh ekipin e tij. Goli i shënuar nga kroati qëndroi deri në fund të gjysmës së parë, me ekipet që iu drejtuan dhomave të zhveshjes.

Në fraksionin e dytë, Alavesh u fut më e motivuar, teksa dominoi në kontrollin e lojës, por rastet që krijoi nuk u konkretizuan. Nga kjo gjë përfitoi Atletiko, ku në minutën e 81-të ishte Antuan Grizman, i cili shënoi pas një kundërsulmi, me pak fat, pasi topi u përplas fillimisht në shtyllë. Dy minuta nga fundi, ishte momenti dhe për Rodrin, i cili çoi shifrat në 3-0.

Kështu, Atletiko merr një sukses mjaft të rëndësishëm dhe tashmë ngjitet në krye së bashku me Barcelonën në kuotën e 28 pikëve. Katalanasit do të luajnë mbrëmjen e sotme derbin ndaj Espanjol, në një transfertë të vështirë, pasi forma që po kalon kjo e fundit është ndër më të mirat e viteve të fundit për klubin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *