Atanda dhe Rajkoviç, vonesa do të vazhdojë

0

 

 

Afrikani do të bashkohet me Apoloninë në fund të muajit, pasi ka një angazhim me kombëtaren U-23 të Nigerisë, ndërsa serbi pret të bëhet baba dhe do të vonojë edhe disa ditë

 

Altin Kuko

Skuadra fierake ka nisur në fillim të javës përgatitjet për sezonin e ri dhe nga grupi i sezonit që shkoi nuk ishin të pranishëm dy të huajt e mbetur, mbrojtësi Sodiq Atanda dhe sulmuesi Marko Rajkoviç. Por të dy duket se do të vazhdojnë të mungojnë edhe për pak kohë. Në fakt, vonesa e afrikanit është disi e gjatë. Ai ndodhet në vendin e tij për momentin, ndërkohë që ka edhe një angazhim me kombëtaren U-23 të Nigerisë. Pritet që Atanda të kthehet në Fier në fund të muajit korrik, pra do të jetë një mungesë e gjatë për trajnerin Mërgjyshi. Kurse Rajkoviç mund të mungojë edhe një javë, pasi nga dita në ditë pret të bëhet baba dhe dëshiron të jetë pranë bashkëshortes së tij. Megjithatë, Apolonia do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm dhe ardhja me vonesë e këtyre dy lojtarëve nuk do të jetë shumë problem. Janë të dy titullarë dhe që kanë ende kontratë me skuadrën bardhejeshile, madje shihen si dy nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit. Kujtojmë që sezonin e fundit Apolonia kishte shumë futbollistë të huaj në përbërje, por shumë prej tyre u larguan pa u mbyllur kampionati, ndërsa Adekunles i ka përfunduar kontrata me fierakët dhe është lojtar i lirë.

PËRFORCIMET – Drejtuesit e klubit fierak kanë në planet e tyre të marrin 3-4 lojtarë të rinj, të cilët sigurisht që do të firmosin kontratë jo vetëm për sezonin e ri. Për momentin nuk ka emra konkretë, sepse gjithçka është në fazën e bisedimeve, por drejtuesit kanë besim se do të afrojnë elementët e duhur për të pasur një Apoloni të “blinduar” në një kampionat me shumë rivalitet, siç parashikohet ai i Kategorisë së Parë në Grupin e Jugut. Sefa dhe Sharavolli janë të vetmit emra që qarkullojnë deri tani dhe mbetet për t’u parë, nëse ata do të bashkohen me fierakët sezonin e ri apo jo. Mesfusha dhe sulmi kanë nevojë për nga një përforcim cilësor.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.