Asnjë francez si Grizman, 4 gola dhe tani sfidon Mesin

Antuan Grizman shënoi dje 4 gola, në fitoren 4-0 ndaj Leganesit, suksesi i tetë rresht për madrilenët, që tashmë kërkojnë të sfidojnë Barcelonën dhe të dielën në Camp Nou luhet një finale e madhe.

Grizman është francezi i parë në histori që shënon 4 gola në një ndeshje në Spanjë, ndërkohë që ka kaluar kuotën e 100 golave me klubin madrilen (103 aktualisht).

Një ecuri mbresëlënëse, që natyrisht ka rritur ndjeshëm vlerën e sulmuesit 26-vjeçar në treg, sepse në verë pritet ankand gjigant dhe Atletiko është bindur tashmë ta shesë yllin e vet, i cili sakrifikoi jo pak verën e shkuar, kur qëndroi për shkak se Atletiko nuk lejohej të blinte lojtarë.

Barcelona është një ndër klubet më të interesuar, por vetë Grizman kërkon të shënojë dhe të festojë në Camp Nou të dielën, sepse nuk e ka bërë kurrë këtë gjë aty.

“Nuk kam shënuar kurrë atje dhe e dëshiroj shumë një gol dhe një festë fitoreje në Barcelonë këtë fundjavë. Jam shumë i përqendruar për të fituar diçka të madhe me klubin dhe kombëtaren. Dua ta shijoj suksesin në kampionat, Europa League dhe Kupën e Botës. Me tej nuk e vras mendjen çfarë do të ndodhë. Nuk po them që do të largohem, sepse ka thënë gjithnjë të njëjtën gjë këto 4 vitet e fundit dhe jam ende këtu”, deklaron Grizman, i cili ka shënuar 15 gola në 23 ndeshje kampionati këtë sezon (7 gola në dy ndeshjet e fundit), që do të thotë që kap shifrën e 15 golave në kampionat për të pestin sezon rresht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *