Ashensori vlonjat i Duros, një vit vetëm në ngjitje: Pengjet e mia, Bregu dhe arbitrat

 

E mori Flamurtarin në një moment shumë delikat, evitoi katastrofën dhe tashmë po shijon frytet e punës së shkëlqyer në verë. “Marrëdhënia me Idrizin, perfekte. Befasia pozitive, Sidibe”

Blerim Jahaj

Shpëtim Duro dhe Flamurtari, një binom i veçantë, një kombinim që ka rezultuar perfekt, aq sa ka befasuar të gjithë, duke parë kaosin që ka mbretëruar në Vlorë këto vitet e fundit. Në shkurt të këtij viti, kur Flamurtari u eliminua nga Besëlidhja në kupën e Shqipërisë, Sinan Idrizi vendosi të provonte eksperiencën e Duros për të shpëtuar sezonin, për të evituar katastrofën e rënies nga kategoria. Pranoi me shumë dyshime Duro, nuk ishte entuziast për një punë të nisur në mes të sezonit, sidomos duke parë gjendjen e Flamurtarit, i dënuar me heqje pikësh, me nje skuadër të ndërtuar e prishur çdo 6 muaj dhe me presion të jashtëzakonshëm nga të gjitha krahët, në një kampionat mjaft të vështirë. Starti, më 19 shkurt, ishte i ndërlikuar, me një humbje të pafat në shtëpi kundër Teutës dhe 5 ndeshje rresht pa fitore, me vetëm 2 pikë. Gjithsesi, në prill nisi kthesa e madhe dhe në fund u sigurua mbijetesa. Idrizi e kuptoi se kishte gjetur njeriun e duhur për ta bërë Flamurtarin nga e para dhe i dorëzoi çelësat Duros: “Bëje Flamurtarin, kërko cilin lojtar të duash”. Duro e bëri Flamurtarin: spastrim total, qëndruan vetëm pak lojtarë, ku më i rëndësishmi ishte Tomisllav Bushiç. Erdhën shumë emra, pati mosbesim në fillim, sidomos kur vlonjatët u prekën te pika më e dobët, numri i paktë i vlonjatëve në ekip. Tani askush nuk e përmend më këtë çështje, sepse Flamurtari i vendit të dytë në Superiore është i bukur, shpresëdhënës dhe po gëzon një qytet që e pret prej vitesh një sukses madhor, ose të paktën kërkon një ekip që të qëndrojë gjithnjë në majat e renditjes. Duros nuk i kërkohet titulli kampion, klubi po bën gjithçka mirë këtë radhë dhe Sinan Idrizi nuk po i lë gjë mangut skuadrës, duke e kthyer Flamurtarin në klubin më korrekt me pagat. Duro e ka realizuar pjesën më të vështirë, ka “pushtuar” Vlorën dhe tashmë kërkon ta çojë dhe ta mbajë në majë…

Duro, e nisët vitin duke marrë Flamurtarin në shkurt, mbijetesë mes vuajtjesh, rindërtim dhe tashmë i dyti përkohësisht.

“ Vit i lodhshëm, por ia ka vlejtur sforcimi. Mora një ekip me emër të madh, në një moment shumë të keq, kur sapo ishte eliminuar nga kupa dhe kishte lloj-lloj problemesh. Nuk dëshiroja ta merrja në shkurt, është normale që një trajner ta ketë më të lehtë të marrë përgjegjësi që në verë, kur ndërtohet skuadra. Ia dolëm me jo pak vuajtje, kampionati i shkuar ishte i tillë që me 2-3 pikë më shumë apo më pak shkoje në Europë apo rrëzoheshe nga kategoria. Në fund të sezonit administratori Sinan Idrizi më kërkoi të rindërtoja skuadrën dhe besoj se kemi bërë një punë shumë të mirë deri tani, jemi në rrugën e duhur”.

Rindërtimi në verë, sa i vështirë ishte?

“Idrizi është treguar mjaft korrekt në marrëdhëniet mes nesh dhe ka mbajtur çdo premtim që më kë bërë. Më la dorë të lirë për gjithçka dhe mora përsipër ndërtimin nga e para, duke vendosur në radhë të parë të ulja nivelin e shpenzimeve, sepse shumë lojtarë kishin paga tepër të larta. Kam punuar në qetësi të plotë, në bashkëpunim të shkëlqyer me klubin dhe Idrizin, kemi gjetur lojtarët e duhur dhe skuadra është e mirë, këtë e shohin të gjithë”.

Vlora konsiderohet një ambient i vështirë. A mund të fitohet aty?

“Unë nuk e shoh si ambient të vështirë. Të gjithë duan sukses, në çdo qytet. Njësoj e kam pasur edhe te Skënderbeu, edhe te Partizani apo kudo ku kam punuar. Unë bëj punën time dhe nuk më shqetësojnë polemikat, kritikat, presioni, në Vlorë jam shumë i kënaqur. Nëse klubi më mbështet dhe skuadra më përgjigjet, gjithçka është perfekte për mua. Të punuarit me një skuadër të rindërtuar nga e para nuk është një diçka e re për mua, e kam bërë kudo, edhe te Besa, edhe te Partizani, edhe te Shkëndija. Kudo ka ecur mirë puna, përveçse në Shkodër, ku nuk u realizuan shumë nga planet që kishim”.

A përmendet më fakti që nuk ka shumë vlonjatë në skuadër?

“Vlonjatë ka, kush e meriton është në skuadër. Unë nuk shoh prejardhjen e lojtarit, por vetëm cilësinë. Kemi vlonjatë në skuadër, kemi të tjerë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, kemi shqiptarë nga Kosova e Maqedonia, kemi edhe të huaj. Për mua janë të gjithë njësoj, edhe ata ndihen të gjithë të barabartë, pa asnjë dallim. Unë ndjek me vëmendje kampionatin maqedonas, njoh mirë edhe kampionatin e Kosovës, ndaj kam preferuar lojtarë sidomos nga Maqedonia, edhe për faktin se kushtojnë pak dhe janë cilësorë e seriozë. Në krahasim me sezonin e shkuar, shpenzimet e Flamurtarit janë ulur dhe ky është sukses”.

Një vlonjat cilësor, Dejvi Bregu, nuk është veshur dot kuqezi.

“Është pengu im, më ka ardhur shumë keq që nuk e morëm dot. Idrizi gjeti marrëveshjen me Luftëtarin, bisedova me Bregun dhe ishte i mirëpritur në Vlorë, do të bëhej lider dhe do të kënaqeshin edhe tifozët. Për fat të keq, lëvizja nuk u realizua dhe nuk është problem financiar, absolutisht. Idrizi do të paguante çdo shifër që do t’i këshilloja”.

Gjithsesi, kanë ardhur 4 lojtarë, tre prej tyre ofensivë.

“Po, dhe të gjithë janë lojtarë cilësorë, ju garantoj. Përveç kësaj, vijnë nga aktivizim i trregullt në klubet e mëparshëm, kjo është shumë e rëndësishme për mua. Nedeljkoviç është sulmues cilësor, e njoh prej kohës kur punoja në Maqedoni dhe është një futbollist që luan në disa role, përveçse e njeh golin. E kërkonin edhe klube të tjerë, mes tyre Shkëndija. Muarem është një futbollist mjaft cilësor, të cilin e kam ndjekur gjithnjë dhe e kontaktova sapo mësova që u largua nga Aktobe. Është paksa i shtrenjtë, por jo më i shtrenjtë se disa nga lojtarët që kam në skuadër, nuk është e vërtetë që do të paguhet me shifra të çmendura, kam lexuar edhe për 15-20 mijë euro, absolutisht jo e vërtetë. Gafuri e Zuka janë lojtarë cilësorë, edhe këta të aftë të luajnë në disa role, Zuka bën mbrojtësin dhe mesfushorin”.

Mos u mbipopullua sulmi?

“Kanë ardhur lojtarë që luajnë edhe si mesfushorë, ndaj nuk përbën problem, përveçse na duheshin lojtarë, sepse sulmues të avancuar kishim vetëm Bushiç. Pastaj, konkurrenca u bën mirë të gjithëve dhe kalendari do të jetë shumë i ngjeshur në vazhdim”.

Mbrojtja, erdhi Zuka dhe do të kthehet Veliu. Del dikush tepër?

“Jakovljeviç ka mbyllur kontratën dhe do të shohim në ditët e ardhshme ç’do të bëjmë. Në të majtë kemi disa lojtarë, por për momentin Musta është lojtari që më jep më shumë garanci”.

Zbulimi i sezonit?

“Shumica e lojtarëve që kanë ardhur, i njihja mirë dhe nuk ka zbulime për mua. Mund të quaj të tillë Lansinet Sidiben. Erdhi në huazim nga Besëlidhja, që në fillim e pashë që ishte lojtar mjaft cilësor dhe e kam këshilluar menjëherë Idrizin që ta blejë përfundimisht”.

Danilo Alvesh?

“Është nën kontratë deri në fund të sezonit, ka shumë zëra rreth tij, por nëse ndonjë klub e dëshiron, le të flasë me klubin, të paguajë për ta blerë. Nuk bëhet fjalë që ta lëshojmë falas”.

Liçaj përflitet për kthim te Luftëtari.

“Është një lojtar cilësor dhe djalë shumë i mirë, por ka luajtur pak, pasi ka shumë rivalitet për formacionin. Sa herë është futur ka dhënë kontribut të çmuar, goli në Lushnje ishte një perlë, por nëse dëshiron të luajë rregullisht, do ta mirëkuptoj kërkesën për të shkuar në Gjirokastër”.

Një emër që është bërë famëkeq në Vlorë: Juxhin Xhaja.

“Nëse në merkato thashë që kam peng Bregun, në fushë kam peng arbitrat, jo vetëm Xhajën. Jemi ndëshkuar në shumë ndeshje, kemi parë çudira, penallti të fishkëllyera për faulle jashtë zone, asnjë penallti e dhënë për ne edhe pse raste ka pasur plot. Me Laçin u mbush kupa, ndeshja u luajt në dy ditë dhe në të dyja ditët Xhaja na ndëshkoi. I njëjti arbitër që ishte kundër Skënderbeut në Vlorë, edhe aty gabime kundër nesh, rastësi? Ndoshta, por atë arbitër nuk e duam më në ndeshjet tona, ka shumë rastësi anormale”.

E mendoni vërtet se mund të ishit mbi Skënderbeun me arbitrime më të drejta?

“Nuk ka asnjë rëndësi kjo, jemi në rangun e supozimit, flasim me nëse. Ajo që ka rëndësi është që na janë hequr pikë, ka vendime vetëm kundër nesh, duke përjashtuar një penallti të padhënë Kamzës në Vlorë në shtesë, por në të njëjtën ndeshje nuk u dha një penallti pro Flamurtarit që në fillim të ndeshjes. Unë do doja të kishim pikët që meritojmë, nëse e mbyllim të dytët apo të tretët, apo më poshtë, ta kërkojmë te vetja fajin apo meritën, jo te vendimet e arbitrave. Skënderbeu është superior sepse ka një skuadër të kompletuar dhe që luan bashkë prej vitesh, nuk ëndërrojmë titull”.

Po Idrizi, a e ëndërron titullin?

“Jo, Idrizi nuk ëndërron asgjë, nuk na ka kërkuar asgjë konkrete dhe është shumë i kënaqur që është ndërtuar një skuadër e vërtetë, e bashkuar, me djem të mirë”.

A është Idrizi aq problematik sa duket nga jashtë, duke parë daljet e tij të forta mediatike?

“Përkundrazi, është perfekt në marrëdhëniet me mua, me lojtarët dhe këdo. Jam shumë i kënaqur me ambientin që kam gjetur në Vlorë dhe jam i kënaqur edhe me qytetin, është zbukuruar jashtëzakonisht dhe jetoj me kënaqësi aty. Kam shtëpinë pranë stadiumit, dal çdo mëngjes për vrap dhe e shijoj shëtitjen anës detit, apo kafen në lokalet e bukura që janë ndërtuar në qytet”.

Idrizi ka deklaruar se po tenton afrimin e Memushajt.

“Nuk është një kërkesë e imja, është e qartë që kostoja financiare është e frikshme. Nëse realizohet, është një dhuratë e Idrizit, për ne dhe për tifozët vlonjatë, por është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *