Asensio, ylli i ri i futbollit që po “fshin” Bejlin dhe po studion Ronaldon

Reali i Madridit e ka nisur sezonin 2017-18 ashtu si mbylli tc shkuarin: duke fituar trofe. Pasi e mbylli sezonin me 4 trofe, tani Reali ka fituar dhe dy të tjerë në pak ditë, fillimisht Superkupën e Europës dhe më pas të Spanjës.

Në 270 minuta, Ronaldo ka luajtur vetëm 31 të tilla, ndërsa në mungesë të tij është ngritur në piedestal një ndër talentet më të mëdhenj të Europës, Marko Asensio, i cili po tregon se nëse Ronaldo nuk është, Reali e ka zëvendësin e denjë.

Në Katalonjë Asensio u fut në fundin e takimit dhe shënoi një gol fenomenal në kundërsulm, kur Barça po sulmonte me të gjitha forcat për të barazuar. Në Bernabeu Asensio e nisi titullar dhe shënoi një gol edhe më fantastik, që në minutat e para të ndeshjes, me një predhë nga jashtë zone, me Ter Stegenin që nuk lëvizi fare.

Tashmë Asensio është princi i ri i Madridit dhe përgjigja e pyetjes: kush do e pasojë Ronaldon, që tashmë është 32 vjeç dhe nuk ka edhe shumë vite karrierë përpara?

Në sezonin e tij debutues në Bernabeu – pas 18 muajsh në huazim mes Majorkës e Espanjolit – Asensio është bërë zëvendësuesi perfekt, që ndryshon ndeshjet, duke treguar se ka të ardhme të madhe, sepse nuk është kurrë e lehtë të luash 10 ao 30 minuta dhe të jesh gjithnjë gati. E mbylli sezonin me 38 ndeshje të luajtura, 1.918 minuta, duke shënuar 10 gola, i fundit kundër Juventusit në finalen e Champions League. Ka shënuar në 4 nga 5 finalet që ka luajtur me Realin!

Tani Asensio e ka nisur aty ku e ka, duke bërë të qajë Barcelonën, që kishte e para opsionin e blerjes nga Majorka, por hoqi dorë dhe i hapi rrugë Realit. Barça dëshironte ta blinte për 2.5 milionë euro në dorë dhe 2 milionë të tjera në bonuse, Reali e bleu për 3,9 milionë euro, në dorë.

Pak muaj më vonë Barça e kuptoi gabimin, tani po e vajton atë, aq më shumë që apo ka humbur një lojtar jo dosido, një që quhet Nejmar.

Asensio mahniti edhe këtë verë në Europianin U-21 dhe kjo ka qenë arsyeja pse Reali është bindur plotësisht se ky 21-vjeçar nuk është një rastësi, nuk është një meteor që shkëlqen vtëm pak momente. Asensio ishte ndoshta edhe arsyeja e madhe pse Reali hoqi dorë nga Hames Rodriguez, një ndër investimet më të mëdha në historinë e klubi.

“Asensio është bërë një lojtar i madh dhe mund të bëhet një fitues i Ballon d’Or”, thotë Florentino Perez, një që duhet dëgjuar kur flet për Topin e Artë, sepse ka shumë të tillë në muzeun e Realit.

Emrin prindërit ia kanë vënë në nder të legjendës Marko van Basten, por me këto ritme, Markoja spanjoll shumë shpejt do të kthehet vetë në legjendë. Lajm i keq për Geret Bejlin: uellsiani dje e nisi nga stoli dhe tashmë tifozët adhurojnë Asension. Çfarë halli për trajnerin Zinedin Zidan!

Detaj i vogël, Asensio nuk ka rinovuar ende dhe klauzola për prishjen e kontratës së tij është vetëm 80 milionë euro! Rinovim, rritje page dhe ndonjë zero më shumë në klauzolën e prishjes së kontratës, kjo është urgjenca e Realit në këtë moment.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *