Asanin e duan të gjithë, vijnë ofertat e para

Sulmuesi i talentuar i Partizanit është ndër të paktët futbollistë që ka pasur një ecuri konstante këtë sezon, që kur është bashkuar me Partizanin. Klubi i kuq pritet ta shesë në verë

Drejtori sportiv Preiti është munduar të reklamojë në maksimum talentet e Partizanit në Itali, duke dhënë edhe intervista plot elozhe për Malën, Asanin, Bardhin e ndonjë tjetër. Megjithatë, tregu italian është tepër i vështirë për të depërtuar, për dy arsye të thjeshta: jemi një kampionat ende pak i vlerësuar dhe italianët nuk pranojnë të shpenzojnë për futbollistë pak të njohur e mbi të gjitha ekstrakomunitarë. Megjithatë, në Shqipëri po kthejnë sytë gjithnjë e më shumë klubet nga lindja, pa harruar lëvizjet e Shkumbin Qormemetit, që po çon lojtarë në Belgjikë, duke nisur me Abazajn këtë vit.

ASANI – Një ndër futbollistët që pritet të transferohet jashtë Shqipërie në verë është Jasir Asani. Vetëm 22 vjeç, anësori i shkathët dhe teknik ka një nuhatje të mirë para portave kundërshtare dhe ka fituar një eksperiencë të konsiderueshme te Vardari i Shkupit. Prej aty u largua me polemika, ndaj shkoi pak kohë te Pobeda dhe në vjeshtë u transferua te Partizani. E luajti në nëntor ndeshjen e parë si titullar dhe fizikisht nuk ishte “top”, por Asani që atëherë ka pasur një rritje të jashtëzakonshme, duke luajtur 24 ndeshje në Superiore, pasuruar me dy gola e disa asiste.

OFERTAT – Klube nga Lindja kanë trokitur në dyert e Partizanit dhe menjëherë kanë nisur bisedimet, fillimisht me përfaqësuesit e futbollistit të talentuar, ish-pjesëtar i Shqipërisë U-21. Asani kërkon Europën e madhe, duke pritur ndonjë ofertë në Perëndim, por dihet që klubet nga Rusia, Azerbajxhani e Kazakistani kanë një fuqi të jashtëzakonshme financiare. Jo rastësisht, edhe lojtarë si Bernard Berisha, Roshi e Balaj kanë zgjedhur Rusinë, apo Llullaku që shkoi në Kazakistan e Agolli në Azerbajxhan. Partizani do të detyrohet ta shesë, nëse i vjen një ofertë mbi 300 mijë euro, edhe për faktin se duhet të arkëtojë pas një sezoni të dështuar financiarisht. Asani është gati, ka shkëlqyer edhe këtë sezon dhe vetëm i duhet të zgjedhë për të ardhmen, pasi ofertat janë në tryezë dhe ndoshta deri në fund të muajit do të shtohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *