Asani, pagesa e menaxherit pengon kalimin te Partizani

Taksa e formimit prej 28 mijë eurosh, që kërkon menaxheri i tij, mban peng transferimin e mesfushorit në thuajse çdo ekip

Jasir Asani mund të jetë përmendur në merkaton e Partizanit, po aq shumë sa Edgar Çani. E nëse sulmuesi erdhi, ai nuk duket gjëkundi. Në fakt ishin “demat” që para dy vitesh kanë kërkuar ta kishin me ngulm në skuadër, ndërsa e kundërta ndodh tani me lojtarin që nuk lë vend, intervistë, apo postim në rrjetet sociale pa shprehur “dashurinë” dhe dëshirën për t’iu bashkuar të kuqve. Kryeqytetasit e kanë vëzhguar situatën e tij dhe duket se tashmë kanë marrë vendimin përfundimtar, nuk do të afrohet. Arsyeja? E thjeshtë, ka shumë bollëk në ekip dhe Asani nuk ofron më shumë. Madje, shihet si bast, pasi karriera e tij ka qenë në zbritje dhe ka pikëpyetje të forta për karakterin.

TELEFONATA – 22-vjeçari ka pritur deri në fund telefonatën e të kuqve, një thirrje që nuk ka ardhur. Pengesë për kalimin e tij te të kuqtë janë edhe pretendimet e larta financiare. Djaloshi ka ulur shumë nga kërkesat e tij, pasi rrezikon të mbetet pa ekip, por përsëri “demat” nuk e kanë dashur në skuadër. Trajneri Juliano po ka vështirësi të administrojë grupin aktual, palë të afrohen edhe të tjerë futbollistë.

PAGESA – Një tjetër arsye e fortë është edhe dëmshpërblimi që duhet t’i paguhet menaxherit të lojtarit, pasi ka paguar taksën e lirimit te Vardari. Mesfushori i avancuar ka dalë nga akademia e Vardarit dhe për të siguruar shërbimet  e tij duhej të paguheshin 28 mijë euro, që janë paguar nga menaxheri i Asanit. Taksa e formimit është paguar nga vetë pala e lojtarit, por Partizani nuk ka ndërmend ta paguajë atë. Palët mund të bashkëpunojnë në të ardhmen, ndërsa për momentin, pavarësisht se marrëveshja ishte afër, Partizani nuk ka bërë lëvizjen përfundimtare.

ASANI – 22-vjeçari ka kërkuar me çdo kusht afrimin me klubin e Partizanit, por negociatat kanë ngecur. Mesfushori tashmë rrezikon të mbetet pa ekip, pasi merkato është e mbyllur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *