“As nuk e di kur do luajmë me Greqinë”, flet Fidan Aliti: Nuk do e zgjedhin më Shqipërinë, më e lehtë për Kosovën

Nga Klaudio Ndreca

Fidan Aliti ka bërë një intervistë ndryshe dhe me “video-live” gjatë ditës së djeshme për “Telegrafin”. Atje janë kapur tema të ndryshme për të marrë sadopak shtjellim, por natyrisht që lidheshin me Kosovën.

Gjithashtu mbrojtësi i Kalmar dhe që dikur ka qenë pjesë e Skënderbeut, i ka kthyer përgjigje shumë pyetjeve që vinin nga njerëzit në kohë reale. Kosova ra në të njëjtin grup me Greqinë në “Ligën e Kombeve”, në atë ndeshje që mund të quhet derbi i Ballkanit, por nga ana tjetër për vetë Alitin nuk prodhon shumë emocione në këto kohë. Mbrojtësi është tërësisht i fokusuar te përballja me Maqedoninë e Veriut, megjithëse në bazë të situatës me COVID-19 mund të jetë ndeshja me Greqinë më para për t’u zhvilluar.

“Po në fakt e kam ndjekur shortin “LIVE” dhe atje na ka rënë edhe Greqia që është Kombëtare e fortë. Por të them të drejtën as nuk jam i interesuar dhe nuk e di, si, qysh dhe kur do të luhen këto ndeshje. Nuk kam pasur interes që ta di deri tani të paktën, pasi mendja jonë është vetëm te ajo ndeshje me Maqedoninë e Veriut. Sepse nëse shkojmë në Europian, i bënë mirë gjithë shtetit tonë.

Shqipëria? Kemi shumë respekt për të, të gjithë shqiptarë jemi. Por Kosova ka më shumë talente dhe do e ketë më lehtë. Më parë ishin shumë nga Kosova që e zgjidhnin Shqipërinë, por kjo nuk ka për të ndodhur më tani, pasi do të jenë në zgjedhje të dardanëve. Pikërisht për këtë arsye do e kemi më lehtë”, ka thënë Aliti. /Sport Ekspres/