As historia nuk i jep shpresë Monakos

0

Kur vjen puna tek futbolli, shifrat vlejnë dhe shumë madje. Edhe pse loja e topkëmbës nuk është matematikë, në fund të fundit gjithçka matet me shifra. Dhe këto i japin të drejtë Juventusit për të qenë i qetë përpara takimit të kthimit kundër Monakos sonte në mbrëmje. Janë në fakt të shumta arsyet për se tek Juventusi duhet të qëndrojnë të qetë dhe plotë besim për të prerë biletën për në finalen e nëntë në historinë e tyre në Ligën e Kampioneve. Përveç faktit më domethënës që është fitorja 2-0 në fushën kundërshtare një javë më parë, Juventusi favorizohet edhe nga shifra të tjera në përballjen me Monakon.

Francezët nuk fitojnë në Torino – Vetë Monako ka zbritur dy herë në Torino për t’u përballur me Juventusin në Ligën e Kampioneve dhe në dy rastet ka dalë me kokën ulur. Por Monako nuk është e vetmja skuadër franceze që ka dalë e thyer nga përballjet me Juventusin në Torino. Sipas shifrave, asnjë skuadër franceze nuk ka mundur të fitojë në këtë qytet përballë bardhezinjve. Edhe më e pamundur duket që një gjë e tillë të thyhet sonte në mbrëmje, sepse “Juventus Stadium” është kthyer një fortesë për Juventusin edhe në Kupat e Evropës. Asnjë humbje që nga prilli im vitit 2013 kur vinte e fitonte në këtë stadium Bajerni i Mynihut 0-2. Në këtë sezon, në fazën e eliminimeve të drejtpërdrejta, madje Juventusi nuk ka pësuar ende asnjë gol dhe për Mbape me shokë detyra duket se ngjan me ato maloret e “horse kategori” në çiklizëm.

Historia – Edhe historia e përballjeve mes këtyre dy ekipeve në Ligën e kampioneve është e gjitha në favor të Juventusit. Në dy përballjet e dyfishta deri më sot përballë Monakos, Juventusi ka kaluar më tej. Në sezonin 1997-1998, Juventusi e Monako përballeshin në gjysmëfinale, ku bardhezinjtë e drejtuar asokohe nga Marçelo Lipi triumfonin 4-1 në Torino me tri gola të Aleks del Pieros. Në takimin e kthimit në Monako, bardhekuqtë fitonin 3-2, por Juventusi shkonte në finale ku mundej 0-1 nga Reali i Madridit. Në sezonin 2014-2015 çifti përsëritej por në çerekfinale, ku Juventusi i Alegrit fitonte 1-0 në Torino me një penallti të dyshimtë të Arturo Vidal. Në takimin e kthimit skuadrat ndaheshin në barazim pa gola.  

FORMACIONET E MUNDSHME

JUVENTUS (4-2-3-1): Buffon; Barzagli, Bonucci, Chiellini, Alex Sandro; Khedira, Pjanic; Dani Alves, Dybala, Mandzukic; Higuain. Tr. Allegri.

MONACO (4-4-2): Subasic; Dirar, Jemerson, Glik, Sidibé; Bernardo Silva, Fabinho, Bakayoko, Lemar; Falcao, Mbappé. Tr. Jardim.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image