“As femrat nuk po na afrohen”, Bregu rrëfehet nga karantina: E doja transferimin, por ky është fati

Dejvi Bregu është një nga lojtarët më të përfolur të kësaj Superioreje. Një sezon i shkëlqyer nga ana e tij, duke ndihmuar jo pak Skënderbeun me paraqitjet në fushën e lojës si dhe me rrjetat e tundura të kundërshtarëve. Kalimi në kampionat jashtë Shqipërisë ishte pranë, por situata e krijuar nga Covid-19 nuk e bëri të mundur finalizimin që pritej prej kohësh.

Në një prononcim për emisionin “FanZone” në “Supersport”, Bregu ka folur edhe mbi këtë temë, ndërsa ka shprehur keqardhje për ndërprerjen e kampionatit në këtë moment të mirë që po kalonte ai dhe ekipi. Por sipas fantazistit të Skënderbeut shëndeti i njerëzve është mbi të gjitha e duhet që kjo gjendje të kalojë sa më shpejt, ndërsa fjalën e tij zgjedh ta mbyllë me një batutë.

“Të them të drejtën, shumicën e kohës jam në shtëpi dhe me oraret që na ka lënë shoqëria, dal në stërvitje. Është moment i vështirë, por duhet të mendojmë mbi të gjitha për shëndetin e njerëzve. Si unë, ashtu edhe Skënderbeu ishim në formë të mire dhe na vjen keq që u ndalua gjithçka, por që këto janë gjëra që nuk i vendosi as unë, as kushdo tjetër. Shpresoj që gjithçka të kalojë sa më shpejt dhe me sukses.

Edhe unë do të doja transferimin në një tjetër kampionat, pasi dua të provoj veten në një ligë më të fortë, por ky është fati. Nuk ndodhi dhe nuk di çfarë të them. Të shpresojmë për në verë. Me kë e kaloj kohën? Të them të drejtën në këtë kohë korone, as femrat nuk po na afrohen. Ju përqafoj nga larg, siç thotë dhe kryeministri ynë”, ka deklaruar Dejvi Bregu./Sport Ekspres/