“Artileria e rëndë” e Klop: Mane-Salah-Firminjo, me rekord të çmendur në Angli

Liverpuli nuk pati probleme për të mposhtur në shtëpi Hadërsfilldin e rrëzuar nga kategoria. 5-0 fituan djemtë e Klop dhe tre pikë më shumë për titullin kampion. Nabi Keita hapi serinë e golave në minutën e parë e më pas shënuan nga një dygolësh Sadio Mane me Mohamed Salah.

“The Reds” do të rivalizojnë deri në ndeshjen e fundit për rikthimin e titullit në qytet pas 29 vitesh. Mançester Siti duhet të gabojë në një nga tre ndeshjet e mbetura dhe tifozët ëndërrojnë për diçka të tillë.

Gjermani Klop ka në duar një skuadër fantastike me plot lojtarë me kualitet, sidomos në repartin ofensiv. 84 gola ka shënuar në kampionat Liverpuli, ndërsa 52 prej tyre janë shënuar nga Salah-Mane-Firminjo.

Kjo treshe ka shënuar më shumë se 14 ekipe të Premier Ligës, mes tyre edhe Ulvërhempton, Everton, Uotford dhe Leister Siti.

Nga 20 kanë shënuar Salah dhe Mane, të cilët kryesojnë renditjen e golashënuesve më të mirë, ndërsa braziliani Firminjo numëron 12 rrjeta. Mane po shijon sezonin e tij më të mirë në aspektin individual dhe goli i dytë i shënuar kundër Hadërsfilldit përkon me golin e 300 të Liverpulit me Jurgen Klop në stol.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *