Arrogancë kazake, drejtuesit acarohen në konferencë shtypi

Trajneri i Kairatit i konsideronte të gjitha pyetjet si provokim dhe ka qenë jo pak nervoz: Nuk e llogarisim fare Skënderbeun!

Të acaruar dhe mendjemëdhenj janë shfaqur dje në konferencën e shtypit përfaqësuesit e Kairatit. Konkretisht, trajneri Chadaxe ironizonte në çdo përgjigje, duke treguar arrogancë. Ai theksoi se ekipi i tij nuk e llogarit fare Skënderbeun. Trajneri Chadaxe është prezantuar bashkë me përkthyesin shqiptar dhe sulmuesin Gohu në sallë. Përkthyesi ka bërë të ditur se trajneri gjeorgjian e kishte porositur sulmuesin Gohu të kishte kujdes, pasi do të provokohej. Pse ky mendim? Vetëm trajneri i Kairatit e dinte… Pak më vonë ai është treguar mjaft ironik dhe ka anashkaluar pyetjet e të pranishmëve në sallë. I pyetur pse bënte këtë gjë, trajneri mik u përgjigj: “Po na provokoni” Këtu nisi edhe acarimi në sallë, me shumë debat dhe pak përgjigje. Trajneri dhe futbollisti i Kairatit u shfaqën shumë mendjemëdhenj në ato pak përgjigje, ku thanë se nuk e diskutonin aspak kualifikimin. Deri në fund trajneri Chadaxe ka bërë ironi. Në fund ka thënë: “Do ta shikoni kush është Kairati.” Edhe pas konferencës së shtypit ka pasur debate dhe operatorët nuk janë lejuar të filmojnë në pistë nga një bodigard i Kairatit. Në nisjen e seancës stërvitore ka pasur vetëm të qeshura nga futbollistët dhe trajneri, i cili ka dashur t’i mbajë me moral të lartë. Hera e parë që ndodh një situatë e tillë në Korçë me skuadrat e huaja.

EUFORIA – Ish-trajneri i Gjeorgjisë, që dy vite më parë mundej 3-1 nga Shqipëria, është shprehur se Kairati i tij nuk e llogarit kualifikimin, pavarësisht barazimit 1-1 na Almati. Chadaxe është dukur shumë euforik dhe për 20 minuta më shumë qeshte me ironi se përgjigjej. Ja çfarë tha Kakaber Chadaxe për ndeshjen e sotme: “Para ndeshjes së parë, e dija nivelin tuaj dhe kishim respekt për Skënderbeun. Mendoj se nesër (sot) do të zgjidhet gjithçka, pasi nuk e diskutojmë kualifikimin. Do të kërkojmë kalimin në turin tjetër dhe do ta shikoni në fushë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Sigurisht, nuk do ta kemi të lehtë. Kurrë nuk e kemi parë me një sy tjetër këtë takim. Eshtë një detyrë për të dy ekipet dhe më mirë t’ia lëmë fushës për të parë ç’do të ndodhë. Nuk e dini çfarë ekipi do të ketë përballë Skënderbeu dhe këtë do ta mësoni nesër (sot). Nuk mund të zbuloj asgjë. Luajmë në fushën tuaj dhe çfarë pastaj? Nuk ka asgjë për t’u trembur, edhe ju këtu në konferencë prisni vetëm fundin e ndeshjes. Nëse eliminohemi? Nuk e di, nuk e kam menduar kurrë një gjë të tillë. Le t’ia lëmë fushës. Mos harroni se në pjesën e dytë në Kazakistan patëm një epërsi të madhe. Tashmë kemi më shumë informacion për Skënderbeun. Nuk besoj se kemi probleme me ndryshimin e orarit, edhe pse këtu ka 4 orë ndryshim. I vetmi shqetësim ishte largësia kaq e madhe nga aeroporti e deri këtu në Korçë. Di që nuk lejohet më shumë se 70 kilometra distanca, por ja që kjo është distancë më e madhe. Kam qenë edhe dy vite më parë në Shqipëri, pasi kam qenë trajner i Gjeorgjisë dhe mund të themi se futbolli juaj është rritur goxha. Europiani ju ka bërë mirë dhe kjo vërehet qartë. Gjithsesi, nesër (sot) takohemi në këtë sallë me ne në turin e tretë të Europa League. Nuk e diskutojmë një gjë të tillë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *