Arrihet marrëveshja, Daliç e Shuker shtrëngojnë duart

Kroacia shkoi deri në finale të Kupës së Botës dhe sigurisht është një arritje e madhe. Pas suksesit të arritur në Rusi u përfol shumë në lidhje me të ardhmen e trajnerit Zlatko Daliç, i cili mendohet se do të largohej për të provuar sfida të reja. Gjithsesi nuk do të ndodhë kështu, pasi ish-trajneri i Dinamos së Tiranës ka pranuar të rinovojë kontratën.

“Ishte e rëndësishme të flisja hapur me presidentin për të gjitha temat. E falënderoj Davorin që ka kuptuar ato që nuk u kam konsideruar korrekte. Mendoj se i kemi zgjidhur të gjitha këto çështje dhe shoh përpara për sfida të reja”, ka deklaruar për HNS Zlatko Daliç.

Zyrtarizimi i tij pritet të vijë më 20 gusht, pasi do të duhet të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i Federatës Kroate të Futbollit për të vendosur gjithçka. Presidenti Davor Shuker gjithashtu ka folur për marrëveshjen e arritur.

“Ishte këndshëm të kujtoje gjithë momentet e bukura që përjetuam gjatë Kupës së Botës. Medalja e argjendit është një dëshmi se të gjitha ata që kanë qenë të përfshirë në këtë arritje kanë bërë një punë të shkëlqyer. Jam i lumtur që kemi folur haptazi për atë që do të jetë më e mira për të ardhmen. Do të shkojmë më tej me suksese të reja”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *