Arrihet akordi, Maldini bën gati dhuratën e dytë për Xhampaolon

Milani ka siguruar goditjen e dytë në merkato pas boshnjakut Kruniç. Biseda e Paolo Maldinit me Teo Hernandez në Ibiza ka shkuar mbarë dhe francezi i krahut të majtë është bindur për t’u transferuar në Milanon kuqezi, madje duke pranuar një ulje rroge me 20%.

Maldini dhe Boban kanë patur një takim me homologët e Real Madrid, ekipit që zotëron kartonin e 21-vjeçarit. Hernandez e mbylli sezonin e kaluar i huazuar te Real Sociedad, aty ku zhvilloi 34 ndeshje, shënoi një gol dhe dhuroi dy asiste. Ditën e hënë do të kryhen vizitat mjekësore, ndërsa prezantimi i tij do të vijë gjatë javës së ardhshme.

Plot 20 milionë euro do të paguajë Milani te “Los Blancos” sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport”, edhe pse nuk përjashtohet huazimi i tij me të drejtë blerje në fund të sezonit të ardhshëm. Teo Hernandez është një mbrojtës krahu modern, i cili preferon shumë daljet dhe lojën ofensive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *