Arrestimi i Grimës, thirrja e FSHF-së: Nuk duhet sulmuar, drejtësia nuk ka folur!

Arrestimi i Armir Grimës ditën e sotme është lajmi i ditës, pasi shkodrani është një emër i njohur në futbollin tonë dhe drejton kombëtaren e femrave. Nuk mund të mungonte edhe reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, që bën me dije se pret zbardhjen e ngjarjes dhe se beson në pafajësinë e ish-portierit.

REAGIMI – “Federata Shqiptare e Futbollit është njohur me ngjarjen e fundit të komunikuar zyrtarisht nga ana e Policisë së Shtetit, për ndalimin e z.Armir Grima, aktualisht trajner i ekipit kombëtar të femrave të futbollit. FSHF në qëndrimin e saj është e prirur të besojë në pafajësinë e plotë dhe mospërfshirjen te trajnerit Armir Grima në rrjetet kriminale për të cilën është ndaluar nga ana e autoriteteve të rendit. FSHF mbetet shumë sensitive karshi kësaj ngjarjeje, por njëherësh është në pritje të zbardhjes së plotë të akuzës që rëndon mbi trajnerin Grima, duke pritur verdiktin e drejtësisë.

Një moment i tillë nuk mund të përbëjë objekt sulmi karshi Armirit, përsa kohë drejtësia nuk ka dhënë vendimin e saj, madje as nuk ka nisur ende të bëjë punën e saj.

FSHF do të ndjekë me shumë qetësi dhe seriozitet ecurinë e kësaj ngjarjeje, duke ftuar njëherësh të gjithë të presin mbylljen e procesit dhe të frenojnë emotivitetin e tyre momental karshi z.Grima, që mbetet një familjar i shkëlqyer dhe një njeri me reputacion dhe personalitet të lartë në ambientin e futbollit shqiptar, dhe jo vetëm”, reagon FSHF.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *