Armiqësia me Guardiolën, Eto: Isha mbi Mesin, Interi bëri blerjen më të madhe në histori!

Sulmuesi i famshëm kamerunas, Samuel Eto, i cili tashmë aktivizohet në Katar, me Katar SC, ka folur në lidhje me të shkuarën e tij te Barcelona, duke iu kthyer marrëdhënies së tij me trajnerin e asaj kohe, Pep Guardiolën. Në intervistën për beIN Sports sulmuesi 38-vjeçar ka kujtuar problemet që kishte me spanjollin.

“Pep ka jetuar gjithë jetën në Barcelonë, por gjatë viteve që drejtoi Barcelonën ai nuk e kuptonte ekipin. Nuk jetonte jetën e grupit tonë. I thashë Guardiolës: ‘Do vish të më kërkosh falje, sepse jam unë ai që do e bëjë Barcelonën të fitojë, jo Mesi’. Realisht isha unë ai që e bëri Barcelonën fitimtare dhe Pep do duhej të më kërkonte falje”.

Kamerunasi shpjegon se shpërthimi i Mesit, i cili për Eto është futbollisti më i mirë i historisë, do të vinte pak më vonë, edhe pse argjentinasi nisi të shënonte rregullisht prej vitit 2006.

Sipas Eto, edhe Iniesta e Ksavi e mbështetin teorinë e tij: “E tillë ishte situata në atë moment. Mesi doli në pah më vonë, ajo ishte epoka ime, pyesni Ksavin, Iniestan dhe të tjerët”.

Në 2009 Eto iku nga Barcelona, për të shkuar tek Interi, ndërsa vendimin e largimit e mori Guardiola, sipas afrikanit: “Avokati më tha që Barça më kishte nxjerrë në shitje, me kërkesë të Guardiolës. Tani është e qartë që ajo lëvizje dhe mundësia që Pep më dha do të mbetet në histori, sepse më lejoi të bëhesha pjesë edhe më e madhe e historisë së futbollit, duke shkuar tek Interi. Pep i mundësoi Interit të bënte blerjen më të mirë në historinë e futbollit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *