Argjentina e “shefit” Mesi dhe lista e miqve…

“Pse Ikardi nuk është në Kupën e Botës? Nëse nuk e kanë thërritur për motive jashtë futbollit, pra nëse nuk është shok me Mesin, ndihem shumë i bezdisur nga kjo gjë. Po flasim për një sulmues që shënon dhe i duhej kësaj Argjentine”. Mario Kempes, që ka drejtuar dikur edhe Lushnjën në kampionatin shqiptar, në kohët e arta të gjeneralit Rapush Xhaferi, ka thënë një të vërtetë të madhe e cila rrezikon që të kthehet në një “bombë” për Seleksionin.

Një “pse” të madhe duhet ta japë trajneri Horge Sampaoli, por sidomos ai që konsiderohet, bashkë me Kristiano Ronaldon, futbollisti më i mirë në botë dhe ndër më të mirët në historinë e futbollit… E ndërsa Maradona dëshpërohet në tribunë, këtë herë pa puron karakteristike pasi nuk lejohet cigarja në stadium, tashmë duket qartë se kombëtarja e Argjentinës është thjesht një skuadër e përbërë nga një klan, që ka pikërisht yllin e Barcelonës “shef”.

Ai që zgjedh se kush duhet të thërritet dhe kush jo, ai që nëse nuk i pëlqen dikush, e shfaq këtë gjë në ambientet e federatës dhe që më pas ai lojtar ose nuk gjen aspak vend, ose zhduket nga lista e grumbullimeve. Dhe, në të gjithë këtë “masakër” të anonçuar, federata hesht, Maradona hesht, por sidomos shtypi argjentinas hesht. Duhet të luajë Aguero, edhe me një këmbë, edhe pse i kthyer pas dëmtimit, por jo Higuain titullar, jo Dibala, sepse zë hapësirat e “pleshtit”, që përveç penalltisë së humbur në ndeshjen e parë, edhe ndaj Kroacisë tregoi se nuk mund të jetë aspak lideri i kombëtares.

Dhe, poshtërimi ndaj Kroacisë, është vetëm një mësim i mirë që nxjerr në pah vlerat e një kombëtare të bërë me “qoka” dhe jo me zgjedhje sipas cilësive teknike. Mesi, këtë herë ndoshta do të tërhiqet vërtet, sido që të shkojë ky Botëror, dhe ndoshta më pas mund të nisë një epokë e re…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *