Argjend në shtëpinë e “Drakulës”, medalja e dytë brenda një jave për talentin e taekwondo

Dy medalje brenda një jave. Nga bronzi i fituar në turneun “Galeb” në Beograd, te argjendi në shtëpinë e “Drakulas”, në Rumani. Moment fantastik ai i talentit kuqezi të taekwondo, Elord Gjana, i cili vazhdon paraqitjet në nivele të larta.

Këtë herë, kampioni shqiptar u pozicionua në vendin e dytë në turneun “Drakula Open G1 2018” të zhvilluar në Rumani. Shkalla e dytë në podiumin e kategorisë deri në 54 kg, erdhi edhe për faktin se Elordi u dëmtua në gjysmëfinale dhe e kishte të pamundur të luftonte në gjendjen e tij më të mirë në finale.

Megjithatë, sportisti i drejtuar nga trajneri Julian Caca regjistroi një tjetër rezultat fantastik, i cili i shërben mbi të gjitha, për të mbledhur pikët e nevojshme për Lojërat Olimpike “Tokio 2022”. Si përfitues i bursës olimpike, Gjana po ndjek rrugën drejt kualifikimit në turneun më të rëndësishëm, nëpërmjet pjesëmarrjes në Turnetë G1, të cilat janë pjesë e evenimenteve elitare dhe njihen nga Federata Boterore e Taekwondos.

Paraqitjet dhe medaljet e fituara janë edhe një përgatitje mjaft e mirë për axhendën e ardhshme, e cila do të kulmojë me pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror dhe atë Europian. Këto dy evenimente kanë edhe peshën më të madhe drejt kualifikimit në “Tokio 2022” dhe me ecurinë e deritanishme, Elord Gjana duket në rrugën e duhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *