“Arena Kombëtare”, Duka viziton kantierin dhe flet edhe për Superioren

0

“Arena Kombëtare” vazhdon me ritme të larta dhe synimi natyrisht është përfundimi i punimeve brenda afateve, me shpresën se UEFA do t’ia besojë Shqipërisë Superkupën e Europës 2019, për të inauguruar stadiumin modern.

Sot në ambientin ku po punohet ne kantier ishte i pranishëm kreu i FSHF-së, Armand Duka, së bashku me arkitektin e projektit te këtij impianti Marko Kazamonti.

Volumi i punimeve po shkon drejt gjysmës së rrugës, teksa mbi 30 inxhinierë të firmës kontraktuese janë në terren çdo ditë.

Në fund të vëzhgimit Duka foli për mediat:

PUNIMET – “Jam i kënaqur që jam sot këtu në stadiumin tonë kombëtar, në veprën tonë më të rëndësishme, më të madhe të FSHF, pasi për ne ka qenë e paimagjinueshme, për të marrë pjesë në ndërtimin e një vepre të tillë. Për të gjithë Shqipërinë mbetet një vepër shumë e rëndësishme dhe me kënaqësi konstatoj se jemi në rrugën e duhur, sipas parashikimeve tona. Punimet janë në nivelin e parashikuar dhe aq më shumë në një kualitet shumë të kënaqshëm. Mendoj se do të kemi të njëjtat ritme deri në fund dhe do të zbatojmë afatet. Një nga objektivat tonë siç dihet ne kemi aplikuar për të organizuar në këtë stadium finalen e Superkupës 2019. Gjithashtu dhe ajo është një projekt shumë i madh në letër me shumë impenjime dhe po vazhdojmë me shumë seriozitet, për të arritur atë objektiv, të rëndësishëm por dhe të vështirë. Janë konkurrentë që kanë aplikuar për ta organizuar këtë event, ne kemi një disavantazh që konkurrojmë me projekt. Uroj ta realizojmë, pasi do të jetë gjëja më e bukur që mund të bëjmë për ta inauguruar këtë stadium që vërtetë do të jetë një stadium i mrekullueshëm”.

SUPERIORIA – “Kategoria superiore është shumë e rëndësishme dhe çdo garë që zhvillohet. Por mjaft e rëndësishme është dhe ajo çfarë do të bëjmë nesër. Edhe ky stadium i përket të nesërmes më të mirë, të  futbollit, të spektatorëve, të medieve që do të kenë kushte fantastike. Për t’u kthyer tek Superioria, mendoj se gara ka ardhur në një fazë finale shumë të rëndësishme, shumë të ethshme, sidomos në krye, ku të tre skuadrat e para janë afruar shumë me njëra-tjetrën në garën për titull. Për mua duket një kampionat i mirë, jo vetëm me garë, por dhe me goxha nivel, goxha pjesëmarrje dhe interesim. Uroj që me një frymë “fair-play” të shkojë deri në fund. Dihet që në fund vetëm njëri do të fitojë, pasi të gjithë nuk fitojnë dot, por me sportivitet të gjitha të tjerat duhet të pranojnë rezultatin dhe të jenë të bindur se i kanë kënaqur spektatorët me atë që kanë dhënë, sipas meje”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.