Ardit Osmani: Jemi në formë, duam pikët e qetësisë

0

Fatmir Efica

Mbrojtësi i majtë i Besës Ardit Osmani, pasi është evidentuar pozitivisht sezonin e kaluar, edhe gjatë këtij kampionati në të gjitha ndeshjet që ka luajtur, ka dalluar për lojën burrërore. Duke folur për sfidën e sotme me Ilirinë Osmani shprehet se Besa nuk bën llogaritë e kundërshtarëve por të sajat. “Ne jemi në formë – nënvizon Osmani – dhe nuk do të gabojmë”. Sa për ta ilustruar këtë konstatim Osmani përmend faktin se Besa e ka mundur Ilirinë në të tria ndeshjet e këtij sezoni, dy herë në Kavajë dhe një herë në Fushë Krujë. “Dëshirojmë të arrijmë të marrim sërish pikët e plota”, qartëson më tej Osmani.

MBROJTJA – Gjatë kësaj javë, është punuar për përshtatjen efikase të skemave mbrojtëse e sulmuese duke alternuar mirë veprimet mbështetëse të dublimit mes lojtarëve. Te Besa momentalisht konkurrenca në të gjitha postet e formacionit është e madhe. Fakti që nga kontingjenti prej 26 lojtarësh që janë në organikë, 18 prej tyre që vihen në gatishmëri për çdo ndeshje, është dëshmi se në këtë grup hyjnë gjithnjë futbollistët që janë më në formë. Dhe përtej kësaj janë dhe të aftë e të gatshëm të luajnë denjësisht për të nderuar fanellën e Besës. “Ajo që mund të them për këtë ndeshje ndaj Ilirisë është se për Besën mbrojtja më e mirë do të jetë sulmi”, deklaron Osmani duke bërë të qartë dhe synimet serioze të Besës për këtë takim.

PËRVOJA – Ndikojnë sigurisht një sërë elementësh që Besa, si skuadër me përvojë dhe traditë të madhe në futbollin shqiptar, di të koncentrohet mirë e bukur në takime të tilla delikate. Ka sigurisht rëndësi edhe evidentimi i cilësive më të mira fizike dhe atyre tekniko-taktike të çdo futbollisti. “Pa mbivlerësuar e as nënvlerësuar Ilirinë, Besa në takimin e sotëm do të japë maksimumin e saj për të mos pasur dhe në këto ndeshje të mbetura asnjë problem në lidhje me ruajtjen e pozitave aktuale në vendin e 6-të në renditje”.

Mbrojtësi i Besës, Ardit Osmani
SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here