Arbitrja e parë që shkeli “Arenën Kombëtare”, Rusta: Sikur të ishte gjithmonë kështu…

Ndeshja testuese është zhvilluar në “Arenën Kombëtare” dhe bëhej fjalë për përballjen mes Apolonisë dhe Vllaznisë për femra. E përfunduar në shifrat 0-2 për shkodranet, fitorja më e madhe do të ishte aprovimi i dhënë nga UEFA për ta zhvilluar këtu ndeshjen me Francën.

Ndërkohë arbitrja e parë që e shkeli këtë arenë ishte Emanuela Rusta. Në një intervistë të dhënë për “Report TV”, ka rrëfyer të gjitha emocionet e përjetuara në stadium. Duke vendosur theksin te privilegji për të arbitruar ndeshjen e parë në një stadium si i “Arenës Kombëtare”, Rusta do të shprehej:

“Të arbitrosh në një stadium aq madhështor sa ishte realizuar “Arena Kombëtare” është një privilegj dhe vlerësim që më ka bërë FSHF-ja që ka besuar tek unë ndeshjen hapëse në këtë Arenë.

Tek femrat shpesh herë mungon tifozeria, nëse do të ishte gjithmonë si tek ndeshja e parë në “Arenën Kombëtare” do të shërbente për t’u zhvilluar më shumë futbolli i femrave dhe të besonin tek aftësitë e femrave rreth njohjes së futbollit njëjtë si tek meshkujt.

Pa diskutim është stadiumi më i bukur dhe ka qenë ndeshje që në atë Arenë të fal shumë emocione. Derbi në këtë Arenë do të jetë ndeshja më e bukur dhe më e ndjerë dhe me shumë drithërima si për lojtarët edhe arbitrat. Është privilegj që kemi këtë stadium shumë emocional”, ka thënë Rusta. /Sport Ekspres/