Arbitra për “burg”, gjirokastritët duan drejtësi ndaj Teutës

Duke pasur parasysh dy ndeshje të këtij sezoni ndaj durrsakëve, drejtuesit e klubit jugor duan që gjykimi të mos ndikojë në ndeshjen e nesërme

Tani që kampionati ka hyrë në fazën e tij finale, çdo pikë e humbur kushton shtrenjtë dhe çdo skuadër i bën mirë llogaritë. Në këtë 9 ndeshje të mbetura kuptohet që edhe gjykimi merr një vëmendje të veçantë, aq më tepër për një skuadër si Luftëtari, që më parë është goditur jo pak herë nga “gabimet njerëzore”. Drejtuesit e klubit gjirokastrit kërkojnë nga FSHF-ja që në ndeshjet e tyre të caktohen gjyqtarë sa më të aftë dhe seriozë, për të mos i ngrënë hakun ekipit. Gjatë këtij sezoni, sidomos në dy fazat e para, Luftëtari ka lënë shumë pikë për shkak të gjykimit, madje edhe në Gjirokastër.

PRECEDENTËT ME TEUTËN – Që në ndeshjen e parë të kampionatit, arbitrat u bënë protagonistë negativë për Luftëtarin, teksa në ndeshjen në Durrës ndihmuan jo pak Teutën, kundërshtarin e radhës. Kjo ndeshje u gjykua nga Hamiti. Por rasti më flagrant i dëmtimit të një ekipi nga gjykimi ishte ai i ndeshjes së fazës së dytë në Gjirokastër, po ndaj Teutës, kur kryesori Blerim Ziri bërri çfarë deshi në dëm të Luftëtarit. Një gjykim që solli shumë polemika dhe ankesa nga klubi gjirokastrite më pas. Kuptohet që Hamiti dhe Ziri janë të padëshiruar nga Luftëtari në ndeshjen e nesërme. Drejtuesit e ekipit gjirokastrit duan t’i paraprijnë çdo rreziku që mund të vijë nga “xhaketat e zeza” dhe për ndeshjen e nesërme me Teutën duan që FSHF-ja të caktojë një arbitër sa më me personalitet dhe me përvojë, që t’i japë secilës skuadër atë që do të meritojë në fushë. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë i përzgjedhuri i sektorit përkatës për këtë ndeshje mjaft delikate. Përveç Eldorjan Hamitit dhe më të urryerit Blerim Ziri, gjirokastritët kanë kontestuar fuqishëm edhe arbitra të tjerë si Laver Alla dhe Emirjon Sino.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *