Arapi flet pas Partizanit: I njëjti film si ndaj Vllaznisë, tre vendet e para deri në dhjetor

Teuta ka marrë një pikë me shumë vlerë në javën e shtatë të Superiores, duke barazuar ndaj Partizanit. Megjithëse mundësitë ishin për shumë më tepër, pasi luajtën me 1 lojtar më shumë për më tepër se një orë dhe Avdyli gjeti golin e avantazhit, Trashi ekuilibroi gjithçka me perlën nga distanca.

Në një intervistë për “Supersport”, mbrojtësi i Teutës, Renato Arapi ka folur në lidhje me ndeshjet e fundit të durrsakëve dhe pikën e marrë në kryeqytet.

“Në ndeshjen ndaj Partizanit ishte i njëjti film si ndaj Vllaznisë. Ne jemi një nga ekipet që pësojmë më pak. Në fakt, në kampionatin shqiptar nuk ka shumë cilësi në aspektin e sulmit dhe aty bëhen diferencat e vogla. Tani shpresojmë që të përmirësohemi.

Sulmuesi Nikaç nuk po e gjen veten dhe ashtu siç të gjithë prisnin. E kam thënë edhe një ditë para ndeshjes në konferencë që ndaj Partizanit do të ishte një matje force. Ndaj ekipeve që pretendojnë titullin nuk kemi humbur asnjëherë. Tani duhet të jemi në tre vendet e para deri në dhjetor dhe të marrim afrime të reja. Është pak çështje psikologjike kur je me një lojtar më shumë, pasi duhet të besosh më tepër.

Ekipi ynë ka pikën më të fortë mbrojtjen dhe i lëmë më pak hapësira kundërshtarit. Sigurisht, ne mbrohemi si skuadër e gjitha. Nëse flasim për cilësi dhe në aspektin e sulmit, është ekipi i Kukësit. Megjithëse edhe ata kanë gabuar në prapavijë dhe kanë lënë disa pikë”, ka thënë Arapi. /Sport Ekspres/