Apolonia nis të kompletohet, zyrtarizon katër afrime

Drejtuesit e skuadrës fierake nuk duan që të nxitohen dhe po synojnë që të bëjnë pjesë të skuadrës lojtarë sa më cilësorë. Nako, Buzi, Hysenshahaj e Idërshaj nënshkruajnë

Mikel Mbriçaj

Një vit më parë, te Apolonia merrte rrugë strategjia për të ndërtuar e pasur një skuadër të mbushur me lojtarë të rinj në moshë. Ata, megjithëse pa përvojë në sezonin e kaluar arritën të bënin një paraqitje dinjitoze duke e renditur në vendin e tretë në grup dhe po të kishin guxuar më shumë do të ishin ngjitur më lartë. Kurse tashmë fierakët duan të hedhin themelet e projektit të ri për të ndërtuar një skuadër të fortë e të konsoliduar, ku lojtarët e rinj në moshë të harmonizohen me ata më të vjetrit dhe me përvojë. Për këtë arsye drejtuesit fierak po kërkojnë në merkaton e kësaj periudhe që të afrojnë disa prej futbollistëve të larguar më parë në drejtim të ekipeve të tjera, por dhe ndonjë lojtar tjetër cilësor e me përvojë.

AFRIMET – Synimi i drejtuesve ka avancuar dhe ata do të kërkojnë jo vetëm një paraqitje dinjitoze e të suksesshme në sezonin e ardhshëm por dhe ngjitjen në Kategorinë Superiore. Deri më tani, drejtuesit fierak kanë filluar të lëvizin dhe të jenë aktiv në merkato. Fillimisht, ata kanë afruar e zyrtarizuar trajnerin dhe stafin e ri teknik por kanë rikthyer dhe disa lojtar që tashmë dihen. Por ndërkohë po punohet çdo ditë për afrime e rikthime të reja. Pasditen e djeshme, pas një pune të gjatë dhe bisedimeve të shumta kanë arritur akordin me  futbollistë të tjerë. Kështu janë rikthyer e kanë nënshkruar kontratën futbollistët Nako dhe Buzi.

Ata, së bashku me Hidërshajn dhe Hysenshahajn kanë firmosur për dy vjet. Me këto afrime duket se ekipi fierak po merr formën e duhur. Ndërkohë, drejtuesit e klubit por dhe ata të skuadrës ende nuk janë të kënaqur me këto prurje, pasi synimi i tyre është që të afrojnë dhe tre katër lojtarë të tjerë cilësor e me përvojë çka do ta forconte akoma më shumë ekipin. Sipas tyre, ata janë në kërkim dhe po bisedojnë veçanërisht me lojtarë të dy pozicione ekstreme, një portier dhe një sulmues “race”. Ndërkohë që po shikohet edhe për ndonjë lojtarë tjetër në moshë të re por cilësor. Përsa u përket përgatitjeve, skuadra fierake do t’i filloj në datën 10 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *